“Europa të mos e injorojë realitetin e ri”, Rama në samitin e Kievit

0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është drejtuar me një video përshëndetëse Samitit në Kiev, ku liderët e BE u mblodhën për të përkujtuar 3-vjetorin e nisjes së agresionit rus ndaj Ukrainës.

Siç raportojnë mediat e huaja, Rama është shprehur se peizazhi diplomatik për Ukrainën ka ndryshuar rrënjësisht, duke pasur parasysh dialogun e Donald Trump me Rusinë dhe u kërkoi liderëve perëndimorë të mos e injoronin këtë fakt.

Kryeministri Rama tha se udhëheqësit dukej se po vazhdonin sikur asgjë të mos kishte ndodhur, kur në fakt, me Shtëpinë e Bardhë të re, gjithçka ishte ndryshe.

“Unë nuk jam i sigurt që vetëm duke folur për rritjen e mbështetjes ushtarake dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake, ne e kuptojmë të gjithë çështjen. Ky është mendimi im modest. Ndoshta e kam gabim”, ka thënë ai.

Rama ka përmendur dhe faktin që Washingtoni dhe Moska kanë nisur bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje dhe potencialin që Ukraina të shkëputet nga bisedimet dhe t’i imponohet një rezultat i padrejtë.

Ai përsëriti se Shqipëria qëndronte plotësisht krah Ukrainës dhe aleatëve të saj, ndërsa theksoi se kishte dyshime për faktin se samiti po trajtonte vetëm gjysmën e problemit, anën ushtarake, dhe jo realitetin e ri politik dhe diplomatik.