Europa “zbret” në Tiranë, mikpritja e liderëve në Samitin e Komunitetit Politik Europian

0

TIRANË- Liderët e 47 vendeve dhe organizatave evropiane mblidhen të premten për një samit njëditor në kryeqytetin e Shqipërisë, për të diskutuar sfidat e sigurisë dhe mbrojtjes në të gjithë kontinentin, me agresionin e plotë të Rusisë ndaj Ukrainës në krye të agjendës.

Vendet e Ballkanit Perëndimor shpresojnë se në Samitin e Komunitetit Politik Evropian do të bisedohet edhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Në këtë Samit, i cili mban moton: Evropa e re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët, do të diskutohet edhe për mënyrat për ta përmirësuar konkurrueshmërinë e kontinentit dhe për të përballuar emigracionin e paautorizuar.

Komuniteti Politik Evropian është një nismë e propozuar për herë të parë nga presidenti francez Emmanuel Macron gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian më 9 maj 2022, me qëllim nxitjen e dialogut politik dhe bashkëpunimit për çështje të interesit të përbashkët, si dhe forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe mirëqenies në kontinentin evropian.