“Faji i banorëve, bëjnë shumë plehra”! Kompania e pastrimit lë me javë të tëra pa pastruar koshat

0

Në fshatin Drenovicë të Dimalit  banorët ankohen për ndotjen masive në koshat e mbeturinave të vendosur pranë banesave dhe bizneseve të tyre.

Por ajo çfarë shqetëson më shumë është fakti se aty pranë është një pikë grumbullimi (magazinë+ sera) fruta perime  dhe sipas banoreve koshat e mbeturinave nuk pastrohen me ditë e javë te tëra dhe në to shpesh ka dhe kafshë të ngordhura.

Ata shprehen për Fiks Fare se ndotja dhe insektet e shumta që vijnë nga këto mbeturina është bërë problem. Për ata që kanë dhe banesat aty pranë jetesa është edhe më e vështirë.

Pas më shumë se dy javësh në momentin që Fiks Fare ishte i pranishëm duke marrë ankesat e banorëve vjen dhe makina e mbledhjes së mbeturinave e sinjalizuar që Fiksi ndodhej në fshatin Drenovicë. Dy punonjësit  dhe shoferi makinës iu futën direkt punës duke grumbulluar mbeturinat.

Pas disa minutash afër grupit të xhirimit të Fiks Fare vjen edhe përgjegjësi i pastrimit z.Eduart Ibrahimi i cili u njoftua nga një prej punonjësve. Ai u shpreh për Fiks Fare se mbledhja e plehrave ishte bërë para 3-4 ditëve,  gjë të cilën e mohuan banorët dhe e faktuan me foto e video. Gjithashtu përgjegjësi u justifikua me faktin se banorët hedhin shumë plehra madje disa prej tyre nuk duhet të hidhen aty. ” Nuk duhet të hidhen divanët , lavatriçe , frigoriferë, pasi banorët duhet të njoftojnë kompanitë që ua kanë shitur të vijnë t’i marrin” shprehet Ibrahimi. Pra duke nënkuptuar që banorët e fshatit Drenovicë duhet të bëjnë edhe diferencim të plehrave, por pa ua vënë koshat përkatës.

Kjo kompani pastrimi ka fituar tenderin në Bashkinë e Dimalit që në vitin 2021, me vlerë rreth 1.2 milion euro dhe prej 4 vitesh operon në  Bashkinë e Dimalit. Objekti i kësaj kontrate është shërbimi i pastrimit në territorin administrativ të Bashkisë Dimal.

Fiks Fare u interesua edhe në  Bashkinë Dimal ku tek shërbimi i informacionit morën si përgjigje që njiheshin me situatën nga ankesat e banorëve që i kishin depozituar pranë bashkisë.  Punonjësja pohon” Kujtonim se problemi ishte zgjidhur, nuk e dinim që vazhdon akoma”. Pas vënies në dijeni nga Fiksi punonjëset konfirmuan se për problematikën do të njoftohet kompania e pastrimit dhe do t’i jepet zgjidhje sa më shpejt. Top Channel