FAKTCHECK/ Rama gënjeu, nuk ishte për herë të parë në Dubai (Vizitat)

0

Kryeministri Edi Rama tha sot se për herë të parë kishte shkuar në Dubai e se edhe këtë herë kishte shkuar për të marrë pjesë në një panair për të nderuar Shqipërinë e jo për turizëm. Teksa fliste për krizën në Shqipëri nga zyra e tij në Kryeministri Rama tha se nuk ishte një ‘njeri qejfesh’ e gjithashtu shpjegoi vizitën e bërë në Abu Dhabi. Ai tha se miqësia me Prinsin e Kurorës do t’i sillte ndihma Shqipërisë, njësoj si pas tërmetit tragjik.

“Në Dubai është hera e parë që kam shkuar. Shkoj në Dubai për të nderuar flamurin e Shqipërisë dhe himnin tonë që u ngrit për hir të EXPO 2020, kam shkuar si të gjithë kryetarët e qeverive të tjerë. Në Abu Dabi shkova pikërisht se kam mik princin e kurorës. Sepse siç ndodhi pas tërmetit tragjik që u bë një lagje e re atje, do të na ndihmojë sërish,”- tha Rama.

Por ku gënjen Rama?

Dosja.al ju sjell tre vizitat e bëra nga kryeministri Edi Rama drejt Emirateve të Bashkuara.

E para ishte në shtator të vitit 2017. Në atë kohë, Edi Rama zhvilloi në Emiratet e Bashkuara Arabe, një takim me lartësinë e tij Sheik Mohammed bin Rashid Al Maktoum. Kryeministri theksoi gjatë takimit nevojën për të nxitur bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, ndërsa ftoi sipërmarrësit nga Emiratet e Bashkuara Arabe që të investojnë në Shqipëri. Gjithashtu, në takim të dy palët diskutuan edhe për mundësinë e vendosjes së një linje ajrore të Amirateve të Bashkuara që të lidhë dy vendet.

Vizita e dytë ishte në 26 nëntor të vitit 2020. Edi Rama dhe zëvendësi i tij, Arben Ahmetaj kanë udhëtuar me avion nga Rinasi për në Dubai. Mëngjesin e ditës tjetër, Rama tha se ndodhej në Dubai për të nënshkruar një marrëveshje për rindërtimin e zonave të dëmtuara të tërmetit. Në videon e publikuar më vonë, Ahmetaj e Rama shiheshin teksa nënshkruanin një marrëveshje në një bar kafe.

E treta ishte vetëm pak muaj më parë. Kryeministri Edi Rama ishte më 30 shtator në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të marrë pjesë në Konferencën e Politikave Ndërkombëtare. Konferenca u mbajt më 1 tetor, pikërisht në kryeqytetin e vendit arab, Abu Dhabi.