Janë zbardhur fjalët e fundit që Papa Françesku i tha stafit të tij, në momentet e fundit të jetës.
Sipas mediave të huaja, Papa i ndjerë ka folur për herë të fundit me mjekun e tij, që i qëndronte pranë në çdo moment. Në fund, Papa i është drejtuar duke i thënë: “Faleminderit që më nxore sërish në shesh”. Arsyeja e falënderimit ishte sepse mjeku Massimiliano Strappetti i qëndroi pranë dhe i mundësoi që të përshëndeste dhe takonte njerëzit të dielën e Pashkës, në sheshin Shën Pjetri.
“A mund t’ia dal?”– ishte pyetja që Papa i kishte drejtuar mjekut, e më pas ky i fundit i kishte thënë se do i qëndronte pranë.
Papa kaloi me makinën e tij dhe takoi dhjetëra qytetarë, e po ashtu bekoi disa fëmijë, edhe pse dukej i lodhur.
Papa e kaloi pasditen duke pushuar në rezidencën e tij të Vatikanit, Casa Santa Marta, dhe pati një darkë të qetë, raportoi Vatican News. Të hënën, rreth orës 5.30 të mëngjesit, u shfaqën shenjat e para të sëmundjes. Më shumë se një orë më vonë, ai përshëndeti me dorë Strappettin nga shtrati në atë që faqja e medias e përshkroi si ‘gjest lamtumire’ përpara se të binte në koma. Papa Françesku u shpall i vdekur në orën 7:35 të mëngjesit.
“Ai nuk vuajti. Gjithçka ndodhi shpejt”, tha Vatican News, duke cituar njerëzit që ishin me Papën në momentet e tij të fundit.