Falsifikimi i Lekut zbriti në nivelin më të ulët historik për 2024

0

TIRANË- Falsifikimi i Lekut pësoi rënie gjatë vitit kaluar. Banka e Shqipërisë raporton se koeficienti i kartëmonedhave të falsifikuara për çdo 1 milion kartëmonedha në qarkullim vitin e kaluar zbriti në 1 për një milion, nga 1.3 për një milion që kishte qenë në vitin 2023. Njëkohësisht, ky tregues ka prekur nivelin më të ulët historik.

Në vitin 2024 janë sekuestruar 156 copë kartëmonedha kombëtare të falsifikuara në qarkullim, kundrejt 195 copëve në vitin 2023, si dhe 50 copë monedha metalike. Për sa i përket shpërndarjes të kartëmonedhave të falsifikuara sipas prerjeve, peshën kryesore e mbajnë prerjet 1000 Lekë dhe 2000 Lekë, të ndjekura nga prerja 5000 Lekë. Numri më i madh i kartëmonedhave false i takon serisë së vjetër me 133 copë, të cilat zinin 85% të totalit, në dallim nga seria e re, e cila ka një cilësi të lartë dhe elemente të forta sigurie. Monedha metalike me prerje 50 lekë vijon të jetë e vetmja monedhë e falsifikuar, por në sasi të ulët dhe të papërfillshme.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në këndvështrimin teknik ose teknologjik të fenomenit të falsifikimit të kartëmonedhave, ato janë riprodhime të thjeshta me pajisje digjitale komerciale, pothuajse vetëm me teknikën ink-jet me ngjyra, të shoqëruara me aplikim të teknikave artizanale teknologjike për imitimin e elementeve të sigurisë, ndërsa elementet e sigurisë të lexueshme prej makinave ose pajisjeve autentifikuese nuk ndeshen në asnjë rast.

Banka e Shqipërisë rekomandon që publiku të tregohet i kujdesshëm gjatë shkëmbimit të kartëmonedhave, duke i kontrolluar ato për autenticitet me metodën “Prek, Shiko dhe Lëviz”, e publikuar edhe në faqen zyrtare të bankës qendrore.

Monedha kombëtare në qarkullim, gjatë vitit 2024, arriti në 440 miliardë lekë, me një rritje prej 32 miliardë lekësh ose 8% krahasuar me fundin e vitit 2023. Kjo sasi ishte e shpërndarë në rreth 161 milionë copë kartëmonedha. Në krahasim me vitin 2023, numri i kartëmonedhave në qarkullim është rritur me rreth 4 milionë copë ose 2.5% më shumë.

Rritja e numrit dhe e vlerës së kartëmonedhave në qarkullim pasqyron zhvendosjen e strukturës së tyre drejt prerjeve të mëdha, kryesisht 10.000 dhe 5000 Lekë. Si rezultat, vlera mesatare e një kartëmonedhe në qarkullim në fund të vitit 2024 arriti 2.689 lekë, kundrejt 2,566 lekësh në 2023.

Për sa i takon monedhave metalike, numri i tyre në qarkullim arriti në 291 milionë copë, kundrejt 273 milionë në fund të vitit 2023, me një rritje prej rreth 18 milionë copë në qarkullim (+6.6%). Vlera mesatare e një monedhe metalike në qarkullim, në fund të vitit 2024, arriti në 25 lekë për monedhë.

Gjatë vitit 2024, pasi u kontrolluan për autenticitet dhe përshtatshmëri për riqarkullim, u përpunuan rreth 94.2 milionë copë kartëmonedha, kundrejt 104.5 milionë copë në vitin 2023. Norma e papërshtatshmërisë raporti i numrit të kartëmonedhave të papërshtatshme mbi numrin total të kartëmonedhave të përpunuara gjatë një viti) rezultoi 21.5%, kundrejt 19.3% në vitin 2023.

Koeficienti i qarkullimit të kartëmonedhës për vitin 2024 rezultoi në vlerën 0.6, që do të thotë se një kartëmonedhë kthehet mesatarisht më pak se një here në vit në sportelet e Bankës së Shqipërisë. Ky koeficient është më i lartë për prerjet 500 Lekë, 1000 Lekë (mbi 1 herë), dhe më i vogël për prerjen 5,000 dhe 10,000 Lekë./ Monitor