Falsifikuan dokumentat, pezullohen nga detyra avokatin Llangozi dhe noterin Aliko

0

GJIROKATËR– Gjykata e Gjirokastrës ka pezulluar nga detyra avokatin Arben Llangozi dhe noterin Ermal Aliko, ndërkohë që prokuroria kishte kërkuar “arrest ne burg” nën dyshimet se kanë falsifikuar dokumentat. Sipas hetimeve të deritanishme të Prokurorisë së Gjirokastrës, ekzistojnë dyshime se avokati Llangozi ka falsifikuar një kontratë qiraje për një apartament, ku do të duhej të qëndronte një klienti i tij italian, për të cilin gjykata kishte caktuar “arrest në shtëpi”. Prokuroria e Gjitokastrës ka krijuar dyshime, bazuar në prova, se Llangozi ka falsifikuar kontratën, me ndihmën e noterit Aliko.

Në përfundim të hetimeve paraprake, Prokuroria kërkoi nga gjykata që të caktonte “arrest me burg” për dy zyrtarët e drejtësisë. Gjykata ka pranuar dyshimet e prokurorisë për kryerjen e veprës penale nga Llangozi e Aliko, ndërkohë që ka caktuar masën e sigurimit “pezullim nga ushtrimi i funksionit” për të dy personat nën hetim.

Detajet

Në 14 shtator të këtij viti, Policia e Gjirokastrës arreston shtetasin italian, Maicol Sacchi, i cili po udhëtonte në Shqipëri me familjen e tij, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale të “trafikimit të mjeteve motorike”. Sacchi u përfaqësua nga avokati Arben Llangozi në seancën për masë sigurie, e cila vendosi fillimisht “arrest në burg” për shtetasin italian. Më pas, Sacchi, po nëpërmjet mbrojtësit Llangozi, kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë, më së paku në arrest shtëpie.

Në seancën e shqyrtimit të kësaj kërkese, avokati paraqiti një kontratë-qiraje për një apartament në Gjirokastër, ku klienti i tij mund të qëndronte gjatë ekzekutimit të masës “arrest në shtëpi”. Gjykata e pranoi kërkesën dhe e nxori nga qelia italianin Sacchi. Ndërkohë, prokuroria, e cila kishte dyshime për vërtetësinë e kontratës së qirasë, urdhëroi ekzekutimin e vendimit të gjykatës, por duke caktuar që Maicol Sacchi të qëndronte në një godinë publike, e konkretisht në ambjentet e konviktit të qytetit, i ruajtur nga punonjës policie.

Ndërkohë, prokuroria ka vijuar me hetimet për origjinalitetin e kontratës së qirasë së paraqitur nga avokati. Pas kryerjes së veprimeve proceduriale dhe ekspertizës së specializuar, prokuroria krijoi bindjen se kontrata është falsifikuar nga avokati Arben Llangozi dhe noteri Ermal Aliko. Gjykata e Gjirokastrës vendosi pezullimin e të dyve nga detyra, në datën 10 nëntor 2021.

Marrë nga Bold News

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu