TIRANË- Trupi i 12-vjeçarit Leo Sadiku është zhvarrosur për t’i nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore dy muaj pas ndarjes nga jeta të të miturit. Zhvarrosja e të miturit është zhvilluar në praninë e ekspertëve të institutit të mjekësisë ligjore të cilët ishin të shoqëruar nga prokurorë të Prokurorisë të Tiranës e cila po heton rastin. Mësohet se të pranishëm kanë qenë familjarët e 12-vjeçarit.
Ekspertët pritet të marrin mostra nga trupi i 12-vjeçarit, të cilat më pas do të dërgohen për ekspertim në institutin e mjekësisë ligjore për të zbuluar shkakun e vdekjes. Mjekët e QSUT janë shprehur se i mituri Leo Sadiku ka ndërruar jetë si pasojë e miokardit akut, ndërsa familjarët e viktimës kanë këmbënguluar se djali i tyrë ka ndërruar jetë nga neglizhenca e mjekëve të cilët nuk e kanë trajtuar si duhet 12-vjeçarin.
Pas vdekjes së 12 vjeçarit, familjarët refuzuan kryerjen e autopsisë por me nisjen e hetimeve prokuroria e Tiranës vendosi kryerjen e autopsisë. Që nga ndarja nga jeta e të miturit familjarët e tij kanë protestuar dhe kanë bërë thirrje për drejtësi për 12-vjeçarin që u nda nga jeta në moshë të re.
12-vjeçari, Leo Sadiku ndërroi jetë më 8 janar të këtij viti në Pediatrinë e QSUT-së. Ai fillimisht ishte shtruar në spitalin e Korçës me shenja të gripit më 28 dhjetor 2024 dhe la spitalin natën e Vitit të Ri. Gjendja e tij u përkeqësua dhe u rikthye në spital më 7 janar, me tension të lartë, glicemi të lartë, të vjella dhe temperaturë.
Mjekët e Korçës e dërguan në Pediatrinë e QSUT-së ku dhe ndërroi jetë. QSUT tha se shkak i vdekjes ishte miokarditi akut, një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme, e cila shoqërohet me shkallë të lartë vdekshmërie, ndërsa vetë familjarët e të miturit kanë ngritur akuza drejt mjekëve për neglizhencë.