Familjarët ishin duke fjetur gjumë, fqinjët japin alarmin. Flakët e zjarrit përfshijnë banesën dykatëshe

0

 

Një zjarr me përmasa të mëdha ka shkrumbuar pjesën më të madhe të një banese dykatëshe në Ishull Lezhë. Flakët janë shfaqur fillimisht në një magazinë ngjitur me objektin dykatësh në pronësi të Rexhep Currit. Në momentin e rënies së zjarrit familjarët i kanë qenë duke fjetur.

Zjarri është përhapur me shpejtësi duke arritur në katin e dyte. Pasi nuk kanë parë asnjë reagim të pronarëve të shtëpisë, komshinjtë e tyre kanë dhënë alarmin dhe kjo ka sjellë zgjimin e personave që ndodheshin në shtëpi, por pa pasur mundësi për të ndërhyrë duke dalë menjëherë jashtë saj.

Shërbimet zjarrfikëse kanë mbërritur shpejt në vendngjarje duke ndërhyre për të penguar përhapjen e flakëve tek të tjera banesa që ndodheshin pranë saj. Duke parë situatën dhe frikën e përfshirjes së banesave të tjera nga flakët, në ndihmë të tyre kanë shkuar edhe zjarrfikësit e portit të Shëngjinit.

Gjatë punës për shuarjen e flakëve, njëri nga zjarrfikëset ka marrë disa dëmtime pasi ra në tokë si pasojë e asfiksisë. Në këtë moment i kanë ardhur në ndihmë kolegët dhe është nisur menjëherë drejt spitalit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nuk dihet ende se nga çfarë është shkaktuar zjarri, ndërsa pritet kryerja e hetimeve për të saktësuar arsyet e këtyre flakëve.

Njoftimi i policisë:

Më datë 27.05.2021, rreth orës 13:20, në Ishull Shëngjin, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit R.C., ku ka vetëm dëme materiale.

Mënjëherë kanë shkuar në vendngjarje shërbimet e Policisë dhe zjarrëfikses.

Vijon puna nga grupi hetimor për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu