Fati i ish-kreut të bandës së Lushnjes në duart e GJL, dosja e Bares në shqyrtim pas 5 vitesh

0

TIRANË- Gjykata e Lartë vendosi të marrë në shqyrtim dosjen penale ndaj ndaj Aldo Bares (Alfred Shkurti), ish-kreu i bandës famëkeqe të Lushnjes, pesë vite pasi Kushtetuesja e ktheu çështjen për rigjykim. Gazetarja Klodiana Lala raporton se seanca për Baren që prej vitesh po vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Peqin është caktuar të zhvillohet më datë 25 tetor dhe kolegji penal do ta shqyrtojë dosjen në dhomë këshillimi, për të vendosur nëse ka vend ose jo për t’u kaluar në seancë plenare.

Në vitin 2017 Kushtetuesja vendosi ta prishë vendimin e gjykatës së Lartë për Aldo Baren dhe ta kthejë çështjen për rigjykim. Ky vendim u mor pasi gjeti shkelje të rënda proceduriale dhe konkludoi se të pandehurit nuk i është garantuar një proces i rregullt ligjor.

Për shkak se për disa vite gjykata e Lartë doli jashtë funksionit, dosja mbeti në sirtar. Brenda pak javësh pritet të vendoset dhe fati i ish-kreut të bandës së Lushnjes.

Aldo Bare vuan dënimin me burgim të përjetshëm. Ai është dënuar për krime të rënda të kryera në kuadër të bandës që krijoi dhe drejtoi për vite me radhë duke terrorizuar Lushnjen.

Ish-oficeri i forcave speciale krijoi bandën kriminale për të ekzekutuar personat që i vranë të vëllanë, Ramadan Shkurti. Aldo Bare u arrestua në Turqi në vitin 2006. Në vitin 2009, ai u ekstradua në Tiranë ku dhe u dënua.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu