Ka rënë në prangat e policisë së Fierit një 35- vjeçar ndërsa dy të tjerë janë proceduar penalisht.
Mësohet se 35 vjeçari u kap me një sasi kanabisi të ndarë në doza gati për shitje.
Ndërsa dy shtetasve të tjerë të proceduar iu gjetën gjithashtu doza të së njëjtës lëndë.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut, të mbështetura nga informacionet e inteligjencës policore dhe të kryera në kuadër të megaoperacionit policor “Tempulli”, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier konstatuan dhe goditën një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, në lagje të ndryshme të qytetit.
Për këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasi M. D., 35 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. M., 43 vjeç dhe A. Y., 48 vjeç, të tre banues në Fier.
Nga kontrollet, në lagjen “Mbrostar Ura”, shërbimet e Policisë i gjetën me vete dhe në banesë, 35-vjeçarit, sasi të lëndës narkotike cannabis sativa, të ndarë në doza, ndërsa 2 shtetasve të proceduar iu gjetën me vete, doza të së njëjtës lëndë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.