Finalizohet operacioni ‘Baruti’ në Shkodër/ Sekuestrohet një arsenal armësh, arrestohet një 61-vjeçar

0

Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Baruti”. Zbulohet në fshatin Rrencë, një bazë ku mbaheshin për llogari të grupeve kriminale, 11 pistoleta, kapsollë detonatore me fitil zjarrpërcjellës, rreth 2000 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 2 antiplumba dhe 1 silenciator. Kapet dhe vihet në pranga pronari i banesës së kthyer në bazë të grupeve kriminale (shtetas me precedent kriminal). Në vijim të operacioneve kundër armëmbajtjes pa leje dhe si rezultat i punës së inteligjencës policore, Komisariati i Policisë Shkodër finalizoi operacionin policor “Baruti”.

Në kuadër të këtij operacioni u zbulua një baze kriminale në fshatin Rrencë. Gjithashtu, u arrestua në flagrancë pronari i banesës së vënë në funksion të veprimtarive kriminale, shtetasi Ç. J., 61 vjeç, me precedent për armëmbajtje pa leje. Nga kontrolli, në ambientet e banesës u gjetën: 11 pistoleta, kapsollë detonatore me fitil zjarrpërcjellës, rreth 2000 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 2 antiplumba dhe 1 silenciator.

Armët do t’i nënshtrohen ekspertizës në Institutin e Policisë Shkencore, për të provuar përdorimin e tyre për ngjarje kriminale. Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po hetohet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë shtetasit e implikuar në këtë rast. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.