Pas përfundimit të Mbledhjes së Këshillit të Mandateve, avokatët e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetajt janë deklaruar për mediat.
Ardian Visha ka treguar se ka komunikuar vetëm 5 minuta më parë me Ahmetajn. Në dosjen e paraqitur nga SPAK, avokatët shprehen se nuk kanë gjetur asgjëkundi arsye për kontrollin e banesës.
Qëndrimi i tyre ka qenë i kundërt me të prokurorisë, ku thonë se nuk ka asnjë fshehje të pasurisë ose ndonjë akt korruptiv.
Avokatët: Nuk ka asnjë fshehje të pasurisë asnjë akt korruptiv. Marrëdhënia shoqërore është kriminale? Zoti Ahmetaj ka nisur përballjen me drejtësinë. Është e drejta e vetë nëse do vijë në Shqipëri apo jo.
Ne mbajtëm qëndrim të kundërt nga ajo që kërkon prokuroria. Na u dha kohë jo më shumë se 24 orë për të parë 320 faqe material, që janë dashur 2 javë për t’i shkruar. Ne nuk vërejtëm asgjëkundi në këto faqe asnjë rresht që justifikon kontrollin e banesës së zotit Ahmetaj.
Kjo është thjesht një shfaqje për të kënaqur epshet e disa njerëzve se si dhunohet e drejta e një deputeti. Për masën e sigurisë nuk kishte asnjë arsye pse kërkohet kjo masë ekstreme. Jemi kundër arrestimit të tij.