KOSOVE – Trajneri i Kombëtares, Silvinho, sot paradite bëri të ditur listën me lojtarët e thirrur për dy ndeshjet e para eliminatore të Shqipërisë për kualifikueset për Kupën e Botës 2026, atë më 21 mars ndaj Anglisë dhe tre ditë më vonë, ndaj Andorrës.
Nga lista e bërë publike ra në sy mungesa e Mirlind Dakut. Trajneri Silvinjo tha në konferencën e sotme për shtyp se sulmuesi kuqezi që luan në Rusi te Rubin Kazan nuk është thirrur për shkak dëmtimi. Reagimi i Silvinjos siç duket nuk ka mjaftuar dhe në rrjetet sociale pati një lum komentesh dhe kritikash ndaj trajnerit brazilian, pse e la jashtë Dakun, duke dyshuar se ai është vërtet i dëmtuar.
Në një prononcim të fundit në Kosovë, Mirlind Daku ka pohuar që është lënë jashtë për shkak dëmtimi. “Në konsultim me doktorin dhe Silvinjon, kemi vendos që unë të pushoj dhe të rikuperohem plotësisht”, ka thënë Daku.