Ngjarja e ndodhur diten e sotme në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë ku skela e nje pallati ne ndertim plagosi dy persona, tmerroi qytetarët që ndodheshin aty pranë, në një rrugë me qarkullim të rënduar.
Një vajzë që u bë dëshmitare e plagosjes së dy kalimtarëve, tregon për Top Channel momentin:
“Isha te kafja lart, ishte një zhurmë e fortë, të gjithë kthyem kokën. Pashë një gocë që ishte mbuluar nga gjaku, të gjithë shkuan ta ndihmojnë.
Pashë edhe një burrë të shtrirë në tokë. Ai burri ishte pa ndjenja. Më pas erdhi policia dhe ambulanca”.
Dy personat, babë e bijë, ishin duke ecur, kur janë goditur nga skela.
Ata u dërguan në Spitali i Traumës, ndërsa në vendngjarje mbërriti policia dhe ekspertët, që pritet të hetojnë ngjarjen.
Hetimet
Inxhinieri dhe dy punëtorë të pallatit ku ndodhi incidenti këtë mëngjes, janë shoqëruar në polici.
Inxhinieri i pallatit, shtetasi K. S., dhe punëtorët N. S., dhe A. P. po pyeten në ambientet e Policisë për ngjarjen.
Incidenti ndodhi rreth orës 10:10, në bulevardin “Gjergj Fishta” në kryeqytet, ku u rrëzuan skelat e një pallati në ndërtim e sipër, duke plagosur dy kalimtarë, 70-vjeçari me iniciale H.L. dhe vajza e tij, 45-vjeçarja me iniciale I.Sh.