Një anëtar drejtues i organizatës xhihadiste të Shtetit Islamik (ISIS) u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një operacioni të forcave speciale amerikane në një komunitet në Sirinë verilindore.
Sipas një deklarate nga Komanda Qendrore e SHBA-së (USCENTCOM), xhihadisti i ISIS-it që u vra quhet Wahid al-Shamri dhe ishte përgjegjës për kontrabandën e armëve. Një nga bashkëpunëtorët e tij mbeti i plagosur, ndërsa dy arrestime të tjera u bënë gjatë operacionit amerikan.
Një dëshmitar okular tha se helikopterët ushtarakë amerikanë u ulën në fshat pas mesnate dhe ushtarët u thanë banorëve të mbylleshin në shtëpitë e tyre me dritat e fikura.
Sipas një banori të fshatit, i cili foli për AFP, forcat amerikane “kontrolluan një shtëpi dhe vranë një person” përpara se të “rrëmbenin” dy të tjerë që ishin në të njëjtën shtëpi.