Një mrekulli mjekësore ka ndodhur në spitalin Sant’Orsola në Bologna, ku një foshnjë shqiptare i është nënshtruar ndërhyrjes në zemër duke qenë ende… brenda barkut të nënës.
Një agie e futur në barkun e gruas shtatzënë prej shtatë muajsh, për të arritur zemrën, e lidhur me një kateter e një tullumbace pak më të madhe se tre milimetra për të ndrequr valvulën aortite që vinte në rrezik mbijetesën e fetusit. Ndërhyrja me rrezik të lartë është ndër të parat në Itali me një bashkëpunim gjinekologësh e kardiologësh.
Gjithçka është kryer me sukses dhe fëmija erdhi në jetë më 23 shtator e sot feston një muaj jetë me nënën, babanë e dy motra, 6 e 2 vjeç. “Foshnja kishte pjesën e majtë të zemrës të zmadhuar për shkak të stenozës aortite, çka shkaktonte mosfunksionimin e barkushes së majtë”, shpjegon Andrea Donti, drejtor i kardiologjisë pediatrie dhe i moshës evolutive në poliklinikë.
“Në kushte të tilla, fetusi rrezikon të vdesë në uterus, ose mund t’i bllokohet rritja e barkushes së majtë dhe pas lindjes i porsalinduri duhet t’u nënshtrohet ndërhyrjeve edhe më të ndërlikuara. Prandaj e diskutuam me nënën hipotezën e ndërhyrjes në uterus”.
Vendimi për të hyrë në sallën e operacionit nuk ishte i lehtë. “Ka një rrezik të lartë vdekjeje, nga 10 në 30 përqind. Në rastin tonë, rreziku ishte shumë i madh, aorta në javën e 27-të ka një diametër vetëm pak milimetra”, saktëson Donti.
Nëna u sigurua që fëmija nuk do të ndiente dhimbje dhe do të vihej në gjumë. “Kur më telefonuan nga Sant’Orsola për të më thënë që ndërhyrja ishte lënë për të nesërmen, e kalova natën duke qarë”, tregon nëna e fëmijës, Emanuela Kapllani, 26 vjeç./Ilrestodelcarlino