Policia e Shtetit është sërish përpara disa ngjarjeve të rëndësishme të ndikuara nga klima politike në vend dhe zhvillimet e fundit që priten. Teksa një javë më parë pamë skena të prezencës saj pranë selisë së Partisë Demokratike dhe rrugëve kryesore të Tiranës, kësaj radhe mund ti shikojmë edhe në rrethe.
Shtrirja gjeografike e këtyre zhvillimeve është kombëtare, pasi ish-kryeministri Sali Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit të PD-së, ditën e Shtunë, do të zhvillojnë referendumin për shkarkimin ose jo të kryedemokratit Lulzim Basha nga posti.
Referendumi do të zhvillohet në çdo rreth, ku në bazë të të dhënave të deritanishme, është përqëndruar në degët vendore të PD-së, por edhe në ambiente publike siç janë pallatet e kulturës. Ndërkohë, që në Tiranë, në Pallatin e Kongreseve Lulzim Basha ka thirrur Kuvendin Kombëtar, që nis në orën 11:00 të të shtunës.
Burime bëjnë me dije se strukturat e rendit, në rang qëndror dhe lokal janë porositur të tregohen vigjilente dhe në gatishmëri për çdo situatë të mundshme. Sikurse në Kuvendin e 11 dhjetorit, policia deri më tani nuk ka indicie për ndonjë situatë që mund të cënojë rendin dhe sigurinë, megjithatë, prezenca e efektivëve do të jetë në distancë dhe në gatishmëri.
Ajo çfarë ka ngjallur më tepër diskutime janë zhvillimet në rrethe, për shkak edhe të peripecive që mund të lindin gjatë këtyre zhvillimeve politike. Ndërkohë, sa i përket tubimit mbarëkombëtar të thirrur nga ish-kryeministri Berisha për datën 20 dhjetor, kundër ‘Open Balkan’ dhe ardhjes së presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Tiranë, burime bëjnë me dije se nuk ka ende një parashikim rreth mënyrës organizative të këtij tubimi, apo kërkesë zyrtare për mbarëvajtjen e tij.