Autori i vrasjes së ish-gruas në fier, Elton Meta, i njohur edhe me mbiemrin Bengaj, ka fituar lirinë pas një seance që ka zgjatur vetëm 34 minuta më 26 korrik 2021.
Ekspertë psikiatër, gjyqtar dhe prokuror, kanë qenë të gjithë dakord për lirimin e të dënuarit nga burgu psikiatrik i Zaharisë.
Sipas proces-verbalit të siguruar nga “Infoweb”, në orën 13:36 minuta dy mjekët psikiatër Ilda Aliko dhe Dorian Skënderaj, kanë paraqitur raportin e ekspertimit.
Dy minuta më vonë në 13:38, avokatët shprehin mendimin në gjykatë se:”…jemi dakord me aktin… kjo është pak a shumë ajo që kemi kërkuar në kërkesën tonë. Të pyetet në cilësinë e dëshmitarit shtetasi, Bashkim Metaj, babai i kërkuesit…”.
Pikërisht këtë dëshmitar avokatët e kishin marrë me vete në seancën e datës 26 korrik 2021.
Gjyqtari Piro Sota, nuk shtyn seancën për të njoftuar këtë dëshmitar, i cili ka qenë brenda në sallën e gjyqit.
Dakordësi për aktin e ekspertimit psiqik ka dhënë në orën 13:39 dhe prokurori Tafili.
Sipas dokumentit në orën 13:39 minuta e 15 sekonda, gjyqtari Piro Sota thotë se ka thirrur në cilësinë e dëshmitarit, shtetasin Bashkim Metaj.
Por kjo nuk provohet me asnjë fletë-thirrje të mundshme, siç e kërkon procedura.
Pas 32 sekondash, dëshmitari Bashkim Metaj, paraqitet në sallën e gjykimit për të dëshmuar para gjyqtarit Piro Sota, pasi ky i fundit ia bën me dije arsyen se për çfarë është thirrur në Gjykatë.
Në orën 13:40, Bashkim Metaj betohet përpara gjyqtarit dhe në orën 13:41, i pohon gjyqtarit Sota se merrte përsipër të shoqërojë djalin e tij, për marrjen e mjekimit ambulator në shtëpi.
Më tej në orën 13:42 gjyqtari Sota ka ftuar palët për të dhënë diskutimet përfundimtare, ku avokatët kanë kërkuar zëvendësimin e masës mjekësore për Elton Bengaj dhe mjekimin e tij ambulator.
Më këtë kërkesë ka qenë dhe prokurori Dorian Tafili.
Ndërkohë në orën 14:17 gjyqtari Piro Sota, ka vendosur zëvendësimin e maskës mjekësore ndaj Elton Bengaj në “Mjekim i detyruar ambulator”.
Për shkak të shpejtësisë së këtij gjykimi, gjyqtari Sota në asnjë pikë të vendimit të tij, nuk ka përmendur urdhërimin e lirimit të menjëhershëm nga burgu i Zaharisë së Elton Bengaj.
Ndryshe nga çfarë ka vendosur gjyqtari, i cili me sa duket për efekt shpejtësie ka harruar t’i shtojë një pikë vendimit, këtë gjë e ka bërë në shkelje të procedurës prokurori Tafili, i cili në datën 26 korrik 2021 ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Elton Metaj nga burgu i Krujës.