Europë përsëri. Dy muaj pas ndeshjes së fundit të Champions League, “shakaja” ndaj Villarrealit që shënoi eliminimin dhe Atalanta, katër vjet pas paraqitjes së tyre të fundit, e shikon veten në Europa League.
Nesër në mbrëmje, në orën 21:00, në “Gewiss Stadium” të Bergamos, do të jetë përballja Atalanta-Olympiacos, një ndeshje speciale, që skuadra e Gasperinit duhet ta përballojë me shpirtin që ka shfaqur shpesh here.
“Ne gjithmonë flasim për Europa League, edhe pse jo aq prestigjioze sa Champions League, pasi gjithmonë do të gjeni skuadra të forta dhe më të forta. Sigurisht, të qenit në Champions League për tre vjet, na ka mësuar keq, por që ne luajmë jo vetëm në Itali, është një moment historik dhe na jep forcë për ta rifituar vendin në kompeticionin më prestigjioz,”– ka deklaruar Gasp.
Atalanta mund të rikthehet në elitë, duke fituar Europa League, “por të mendosh për ta bërë këtë sot, nuk do të ishte e saktë: ka rivalë që kanë zbritur nga Champions League, me kurrikulume të shkëlqyera. Ne do të shohim nga nesër, se në çfarë pike është rritja jonë, ku jemi stabilizuar dhe si do të përmirësohemi: nuk mund ta kemi trofeun si objektiv, të paktën tani,”- u shpreh trajneri i “Deas”.
Sigurisht që Olympiacos do të bëjë gjithçka për të prishur mbrëmjen e Atalantas: “Po dominojnë gjerësisht në Greqi, nuk humbasin kurrë, kanë një skuadër me një larmi zgjidhjesh, lojtarë të shpejtë dhe të rrezikshëm në sulm. Na pret një sfidë e ekuilibruar, mendoj se do të luajmë për kualifikim në Athinë”.
Fleksibiliteti është një armë edhe për Atalantën, por sot, thotë trajneri “jemi pak në mbrojtje, ndërkohë që na mungojnë tre në sulm”. Por Gasp ka besim të madh te të tjerët dhe te Muriel: “Ai po bën shumë mirë, edhe nëse nuk i ka numrat e vitit të kaluar. Por ka shumë ndeshje për të luajtur, ne kemi besim.”