Gati për luftë/ Të rinjtë dhe studentët në Ukrainë i bashkohen ushtrisë, trajnohen në mes të borës për t’i bërë ballë 100 mijë trupave të Moskës

0

Mijëra civilë të rinj, nga studentë të mjekësisë veterinare te arkitektë, i janë bashkuar ushtrisë së Ukrainës duke u trajnuar për luftë, ndërkohë që rritet frika për një pushtim të mundshëm nga Rusia.

Të rinj dhe të reja, disa deri në 21 vjeç, kanë marrë pjesë në trajnimin e njësisë së Mbrojtjes Territoriale të Kievit gjatë fundjavës në një pyll të mbuluar me borë në kryeqytet, ndërsa përgatiten për një konflikt të mundshëm me Moskën.

Midis civilëve ukrainas që janë trajnuar me ushtarët ukrainas është 21-vjeçarja Tatiana, një studente e mjekësisë veterinare në universitet.

Një tjetër i ri është Antoni, një gazetar 32-vjeçar, i cili u shfaq me armë në krah gjatë stërvitjes ku improvizohej një sulm i mundshëm rus.

Mariana, 52 vjeç, një studiuese e Marketingut e cila në dy vitet e fundit ka qenë vullnetare në një njësi të Mbrojtjes Territoriale të Kievit, ka qenë gjithashtu pjesë e stërvitjes së të shtunës në Kiev.

Shumë civilë anembanë vendit janë regjistruar në programe të ngjashme trajnimi për të marrë aftësitë bazë luftarake.

Në rast të një pushtimi të mundshëm nga Rusia, këta të rinj do të jenë pjesë e rezistencës civile të vendit, e cila do të vazhdojë luftën kundër ushtarëve rusë, nëse ushtria ukrainase është e mbingarkuar.

Rajoni ka qenë në “teh të thikës” që nga fundi i vitit të kaluar kur Moska zhvendosi deri në 100,000 trupa, tanke dhe raketa, pranë kufirit të saj me Ukrainën, por tensionet janë rritur ditët e fundit pas një rritjeje në pajisjet dhe lëvizjet e trupave, mes tyre policore ushtarake.

Mes frikës së një pushtimi të afërt, Britania e Madhe filloi të tërheqë sot diplomatët nga misioni i saj në Kiev, një lëvizje e ngjashme me SHBA-së në fundjavë.



PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu