Gazetarët italianë: Televizioni publik nën kontrollin e qeverisë, rrezikohet edhe emisioni investigues “Report”

0

ITALI- Unioni i gazetarëve RAI (USIGRAI) në Itali ka ngritur alarmin pasi drejtori i televizionit Rai ka njoftuar vendosjen e një komisioneri kontrollues në të gjitha emisionet dhe programet më të ndjekura në televizionin publik. Me një dokument të publikuar dje, drejtori menaxhues i televizionit njofton se kontrollin editorial mbi programet nuk e mbajnë më regjisorët e zhanrit ose drejtuesit dhe autorët e programeve, por i besohet strukturave të paspecifikuara redaktuese. Ky vendim sipas USIGRAI bëhet për të kontrolluar nga politikanët ato pak programe që sipas tyre japin ende informacion. Më tej në denoncimin e tyre thuhet se kjo rrezikon edhe eliminimin e punës që mbi 150 gazetarë kanë kryer prej vitesh në programet e rrjetit, ende pa gazetë.

“Për ta vënë nën kontrollin e një koordinatori administrativ, në kundërshtim të qartë me Ligjin e Shtypit që kërkon praninë e një gazete të regjistruar, për të garantuar parimet e pavarësisë së profesionit të gazetarit”, thuhet në reagimin e tyre.

Ndër programet më të përfolura prej muajsh dhe që transmetohet në RaiTV është edhe emisioni investigativ Report. Ky emision i cili në dy episode të tij ka investiguar edhe marrëveshjen mes kryeministrit Edi Rama dhe Giorgia Melonit për pritjen e emigrantëve dhe prapaskenat e saj, është dhe më i rrezikuari. Reportazhi i “Report” i publikuar në prill të 2024 bëri bujë, pasi tha se marrëveshja për refugjatët mes Shqipërisë dhe Italisë është hartuar për interesa të errëta. Sipas reportazhit, përmendet se personi kyç pas kësaj marrëveshje është Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, i konsideruar edhe si një ish-avokat të trafikantëve të drogës. Në reportazh përmendet se krimi ka arritur në nivele të larta të qeverisë shqiptare, madje edhe vetë vëllai i Edi Ramës, Olsi është i implikuar me kartelet e drogës. Pas reportazheve investiguese vetë kryeministri Edi Rama ka telefonuar drejtorin e televizionit, ku sipas Ramës ishte bërë për të mbrojtur imazhin e Shqipërisë.

Disa media italiane si Servizio Pubblico, Il Messaggero, Il Gazzettino, La Repubblica dhe La Stampa shprehen se vendimi “KONTROLLI I PËRMBAJTJES NUK DO TË JETË MË PËRGJEGJËSIA E DREJTORËVE TË EMISIONIT” erdhi pas bujës së shkaktuar nga emisionet e Sigfrido Ranucci.