Kuvendi zgjodhi të enjten, vetëm me votat e mazhorancës socialiste, ish-kryetaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Genta Tafa, si Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Kandidatura e saj e përzgjedhur më parë nga Komisioni i të Drejtave të Njeriut dhe Medias në një procedurë të kontestuar nga opozita mori në votim 83 vota pro dhe 25 vota kundër.
Mandati si komisionere është 5-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
Mandati i komisionerit të mëparshëm, Robert Gajda, kishte përfunduar që në vitin 2023 ndërsa Kuvendi rihapi disa herë garën për këtë detyrë.
Në procedurën e fundit të hapur në mars u vetfofruan 7 kandidatura, ku përveç Tafës ishin në garë dhe Alfred Balla, Brikena Luto, Brunilda Menalla, Ermonela Xhafa, Rozeta Ivanova e Sonila Hysi.
Pas dëgjesave para komisioneve kandidatëve u duhej mbështetje me të pakën 25 firma deputetësh për të vijuar procedurën parlamentare. Grupi Parlamentar Socialist zgjodhi të mbështest me firmat e deputetëve kandidaturën e saj për ta kaluar në seancë plenare për votim, duke vlerësuar anën profesionale dhe “aftësitë e spikatura në ushtrimin e profesionit”.
Mbledhja e komisionit që vendosi për kalimin e emrit të saj në votim në seancës plenare u thirr nga 1/4 e anëtarëve socialistë, ndërsa kryetarja e komisionit nga opozita, Jorida Tabaku, e kontestoi procedurën si “imponim” me forcën e numrave.
“Institucionet e pavarura nuk janë zgjatim i institucioneve të tjera dhe as stacione tranziti për emërime politike. Kjo është hera e tretë që përfaqësues të të ashtuquajturës “drejtësi e re” transferohen në institucione të pavarura, duke ngritur pikëpyetje serioze si për vendimet e tyre të mëparshme, ashtu edhe për pavarësinë e institucioneve ku emërohen sot”- deklaroi Tabaku në një reagim publik javën e shkuar.
Pedagoge e së drejtës financiare Genta Tafa ka shërbyer më herët në institucionet e reja të drejtësisë të krijuara pas Reformës në Drejtësi.
Ajo u zgjodh në krye të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në vitin 2017 me një mandat 3-vjeçar, një institucion që shërbeu si hallka e parë e vetingut me të cilën u përballen gjyqtarët dhe prokurorët.





