GJKKO lë në burg Dashnor Dumanin dhe liron Armis Stafën, zbulohet se si erdhën nga Dubai në Shqipëri!

0

Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e arrestit në burg caktuar në mungesë për Dashnor Dumanin, vëllain e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Nuredin Dumani, ndërsa ndryshoi atë nga ‘arrest në burg’ në ‘arrest shtëpie’ për Armis Stafën, pjesë e organizatës kriminale të Çopjave, i dyshuar se pastronte paratë e saj nëpërmjet shit-blerjes së automjeteve.

Asnjëri prej të akuzuarve nuk foli në gjykatë, por u përfaqësuan nga avokatët Ferdinand Ndoja dhe Gurali Braimllari.

Në bazë të informacionit që u paraqit në gjykatë, për Dumanin dhe Stafën nuk është zbatuar në procedurë e mirëfilltë ekstradimi, por ata janë sjellë nëpërmjet procedurës së deportimit ose dëbimit nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Dyshja u sollën në Shqipëri të mërkurën e 11 qershorit, nga Dubai përmes një fluturimi tranzit nga Turqia.

Për Dashnor Dumanin GJKKO-ja në vitin 2024, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me arme” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit“, kryer në kuadër të organizatës kriminale.

Dumani akuzohet si pjesë e grupit që morën pjesë në masakrën e Bradasheshit, ku u vranë Endrit Alibej, xhaxhai i tij Arben Dylgjeri dhe Erdal Durunay, një shtetas turk që i shoqëronte.

Ndaj tij ka një masë sigurie edhe për grabitjen spektakolare të Rinasit në vitin 2019, ku bashkë me shtetasin Altin Ndoci ka djegur një nga automjetet e përdorura gjatë vjedhjes me armë, të shumës së parave.

Në këtë ngjarje gjatë përplasjes me policinë u vra Admir Murataj, dhe në muajt në vazhdim çoi në krisje të grupit për shkak të ndarjes së parave, duke prodhuar një valë vrasjesh të tjera.

Dashnor Dumani rezulton të jetë i dënuar me 4 vite e 4 muaj burg për armëmbajtje pa leje, dënim nga i cili i kanë mbetur për të shlyer 1 vit e 4 muaj.

Në rrëfimet e tij në sallën e gjyqit në GJKKO në procesin “Plumbi i Artë”, Erion Alibej në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë deklaroi pak ditë më parë se nga hetimet që ka kryer në mënyrë private për masakrën, zbuloi se në mesin e atentatorëve ishte vëllai i Nuredin Dumanit.

Me këtë të fundit Erion Alibej nisi një bashkëpunim për vrasjen e Talo Çelës dhe sipas tij i ishte betuar për Kuranin se i falte gjakun e të vëllait, pavarësisht se Nuredin Dumami kur i tregoi emrat e vrasësve të Endrit Alibejt, nuk i përmendi vëllain Dashnor Dumani.

I ekstraduari tjetër, Armes Stafa, është pjesë e organizatës së vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja.

Përmes shitblerjes së makinave dyshohet se roli i tij në grup ka qenë për pastrimin e parave që rridhnin nga veprimtaria kriminale, kryesisht ajo e trafikut të drogës. Për të Gjykata e Posaçme caktoi masën “arrest në burg” në mungesë gjatë vitit të kaluar.