GJKKO rrëzoi kërkesën e ish-ministrit të Mbrojtjes, seanca e radhës më 17 tetor, Fatmir Mediu: Është një akt ekspertimi i pavlerë!

0

TIRANË- Gjykata e Posaçme ditën e sotme ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për kryerjen e një riekspertimi pjesor për kostot e dëmit ekonomiko-financiar të demontimit në fabrikën e Poliçanit. Ndërkohë raportohet se seanca e radhës do të mbahet me 17 tetor.

Gjyqtarja Irena Gjoka argumentoi se edhe kjo do të bashkohet me provat e tjera dhe se gjykata do të dalë në një konkluzion. Sipas gjyqtares së çështjes, asnjë provë nuk ka fuqi apo vlerë paracaktuese të provuar.

Mbrojtja ligjore e Mediut paraqiti kundërshtimet në lidhje me përgjigjet e pesë ekspertëve në dy seancat e kaluara. Mbrojtja pretendoi në seancën e kaluar se akti i ekspertimit është me të meta në përmbajtjen e tij dhe pretendoi se procesi i demontimit dhe cmilitarizimit është bërë mbi llogaritje jo të vërteta, jo të sakta. Shifrat sipas avokatëve të Mediut, kanë përmbajtje të rremë.

Avokatët kërkuan në seancën e kësaj të mërkure që të merret si provë një ekspertizë private, e përgatitur nga ana e tyre dhe të bëhet pjesë e fashikullit një memo me kundërshtimet e tyre.

Ndërkohë në një deklaratë për mediat, ish-ministri Fatmir Mediu tha se “ky është një akt ekspertimi i pavlerë”.

“Ky akt ekspertimi është nul për faktin se vetë ekspertët kanë deklaruar që nuk kanë qenë ekspertë, por janë cuar për të ndihmuar prokurorinë. Kjo u justifikua me faktin që këta janë ekspertë me dije shkencore. Por u provua që nuk kanë asnjë dëshmi që të jenë me dije shkencore. Nuk kanë asgjë në njohjen e tyre profesionale me procesin e demonetimit. Ajo që është me e rëndë është se nuk kanë vlerësuar asnjë proces demontimi”, tha Mediu.

“Përpara se të vinte kompania SAK ne këto fishekë i digjnim në uzinën e Mjeksit. Nuk fitonim asgjë. Kemi investuar rreth 9 mln euro për të demontuar 7 mijë e 800 municione. Ndodheshim për alternativës ta konsideronim ofertën e SAK e cila i jepte të ardhura ministrisë së Mbrojtjes, apo të vazhdonim ti digjnim? Kanë bërë llogari, hamendësime që po të bëhej ky demontim në Poliçan shteti do fitonte 8.6 mln. Këtu nuk ka as aritmetike fillestare jo më logjike ekonomike. Bazuar në një pretendim të tyre se vlerësimi i kombinatit të Poliçanit ka qenë i falsifikuar, një vendim që është hedhur poshtë me vendim të formës së prerë. Hamendësimi që ata kanë ndërtuar ka qenë i pabazë”, u shpreh Mediu.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu