Gjokoviç: “Shumë shpejt do ta mësoni vendimin për Australian Open”

0

Novak Gjokovic e përfundoi sezonin e tij si numri 1 në ATP me një humbje në ‘Davis Cup’ dhe më pas premtoi, se do të marrë një vendim për pjesëmarrjen e tij në ‘Australian Open’ shumë shpejt.

Tenisti serb, i cili fitoi tre nga katër Grand Slamet e sezonit në 2021, duke e çuar numrin e tyre në 20, njësoj si Roger Federer dhe Rafael Nadal, është ende në dyshim për ‘Australian Open’, pasi organizatorët këmbëngulën se vetëm lojtarët e vaksinuar plotësisht do të mund të konkurrojnë në turneu i planifikuar nga 17 deri më 30 janar 2022.

34-vjeçari refuzoi të thoshte nëse është apo jo imunizuar kundër koronavirusit. “Unë e kuptoj që ju doni përgjigje se ku dhe si do ta nis sezonin e ri, por do të shohim se çfarë do të sjellë e ardhmja,”- tha Gjokovic, nëntë herë kampion në Melburn. “Nuk mund t’ju jap një datë, por padyshim që ‘Australian Open’ do të vijë së shpejti, kështu që do ta dini shumë shpejt,”- shtoi ai.

“Do të përpiqem t’i shfrytëzoj ditët e ardhshme për t’u rikuperuar, pushuar dhe harruar tenisin. Jam shumë i lodhur nga ky sezon dhe gjithë ky vit.” Ëndrra e Gjokoviçit për të shtuar një Kupë të dytë Davis, në 20 titujt e tij Grand Slam, u shkatërrua kur Serbia u mund nga Kroacia në gjysmëfinale në Madrid. Gjokoviç dhe partneri Filip Krajinoviç humbën 7-5, 6-1 ndaj kampionëve olimpik dhe Wimbledon, Mate Pavic dhe Nikola Mektic në dyluftimin vendimtar.

“Ne e dinim, – shpjegoi ai, – që nuk do të kishim qenë favoritët, sepse kemi luajtur me çiftin më të mirë në botë, lojtarë që luajnë gjithmonë bashkë, që e njohin shumë mirë njëri-tjetrin, që janë specialistë të dysheve, të cilët u përqendruan vetëm për këtë. Për të fituar ‘Davis Cup’ duhet një ekip dyshe, përndryshe do të jetë shumë e vështirë, është një short. Është si të ngjitesh në Everest”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu