TIRANA- Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën Prokurorisë së Apelit për ekstradimin e ish-luftëtarit të UÇK-së Dritan Goxhaj. Prokuroria e Apelit kishte bërë rekurs në Gjykatën e Lartë ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit që refuzonte ekstradimin e Dritan Goxhajt për llogari të Gjykatës Speciale në Hagë.
Dritan Goxhaj u lirua nga qelia në seancën 10 tetorit 2023, ku ishte i pranishëm bashkë me avokatin e tij Ardjan Vishaj, i cili apeloi vendimin e Gjykatës së Tiranës për ekstradimin e tij. Ka qenë gjyqtari Gent Shala, i cili ka vendosur refuzimin e ekstradimit për Goxhajn dhe ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm.
Ish-pjesëtari i UÇK-së u arrestua në 31 korrik nën dyshimin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë frikësimin dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare. Në janar të 2023 ai publikoi një shkrim me titull “Mëmëdheu, UÇK-ja dhe gjykata speciale” ku ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve që mbahen të fshehtë nga Gjykata Speciale.