Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Monika Kryemadhit, lë në fuqi sekuestrimin e vilës te “Kodrat e Diellit”

0

TIRANË – Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e deputetes Monika Kryemadhi, lidhur me heqjen e sekuestrimit të vilës që ndodhet në zonën e njohur si Kodrat e Diellit në Tiranë. Kryemadhi kërkonte rrëzimin e dy vendimeve të Shkallës së Parë dhe të Apelit të GJKKO për sekuestron e vilës por Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e saj.

Deputetja po hetohet nga SPAK për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash. Gjykata la në fuqi më 23 tetor masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj Kryemadhit, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.

Ndërkohë ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, iu zëvëndësua masa e sigurisë nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” urdhërohen të paraqiten një herë në muaj në zyrat e Policisë Gjyqësore të SPAK.