Gjykata e lartë urdhëroi pezullimin e punimeve, policia zbarkon në Valbonë, pranë HEC-eve

0

Forcat e policisë kanë qenë të pranishme paraditen e kësaj të marte pranë HEC-eve në Valbonë, në përpjekje për të zbatuar vendimin e Gjykatës së Lartë, që urdhëroi pezullimin e punimeve.

Burime bëjnë me dije se forcat e policisë kanë kërkuar pezullimin e punimeve nga firma Gener 2, sipas vendimit që ka dhënë Gjykata e Lartë.

Fax News ka siguruar dhe një foto ku shihen se punonjësit e policisë janë në hyrje të HEC-it të ndërtuar nga Gener 2, i cili nuk i ka ndalur për asnjë moment punimet pavarësisht protestave të banorëve, dhe tashmë vendimit të Gjykatës së Lartë.

Beteja ligjore

Gjykata e Lartë e shqyrtoi çështjen pas kërkesës së paraqitur nga pala paditëse që përbehet nga banorët 27 fshatrave të Bashkisë Tropojë, Shoqata “TOKA” dhe Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Alpeve Shqiptare, të përfaqësuar nga zyra e avokatisë KALO & ASSOCIATES.

Në vitin 2017 e njëjta kërkesë nuk u pranua nga Gjykata Administrative, e cila vendosi për ndërtimin e hidrocentraleve. Ata kërkuan anulimin e dy hidrocentraleve në Luginën e Valbonës, duke listuar argumentet që lidhen me ndërtimin në një park kombëtar të kategorisë së dytë dhe falsifikimin e firmave në dëgjesat publike. Disa muaj më vonë, Gjykata rrëzoi padinë e banorëve dhe organizatës “TOKA”.

Ky vendim u apelua dhe në qershor të vitit 2018 padia u pranua. Gjykata e Apelit urdhëroi pezullimin e punimeve. Në datën 31 korrik 2018, Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tropojës vendosi të rrëzojë vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë për pezullimin e punimeve për ndërtimin e HEC-eve në Parkun Kombëtar të Valbonës. Gjykata e Tropojës i dha të drejtën kompanisë koncensionare “Dragobia Energy” të vijojë punimet.

Më pas çështja shkoi në Gjykatën e Lartë, e cila dha vendimin përfundimtar për mos ndërtimin e tre HEC-eve, pezullimin e punimeve, duke zhbërë një padrejtësi ndaj një zone që ishte e mbrojtur me ligj si Park Kombëtar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu