SHBA- Gjykata Supreme e SHBA-së i ka lejuar administratës së Donald Trump të pezullojë një program të administratës Biden që u lejonte më shumë se 500,000 emigrantëve nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela të jetonin dhe punonin përkohësisht në Shtetet e Bashkuara.
Nëse merren në konsideratë vendimet e mëparshme, pothuajse një milion emigrantë janë ligjërisht në pritje dhe janë në rrezik deportimi. Ishte hera e dytë në maj që Gjykata e Lartë mbështeti përpjekjet e Trump për të revokuar statusin e përkohshëm ligjor për emigrantët.
Në një vendim të mëparshëm, Gjykata i kishte lejuar qeverisë të revokonte një program tjetër të përkohshëm që u jepte leje pune qindra mijëra emigrantëve venezuelianë. Ky vendim u nxor me një proces të shpejtë pas apelimit të qeverisë amerikane pas një bllokimi të përkohshëm nga një gjyqtar në Boston.
Dy gjyqtare liberale, Sonia Sotomayor dhe Ketani Brown Jackson, shprehën mospajtim, duke shpjeguar në arsyetimin e tyre se “jeta e gjysmë milioni njerëzve është në vështirësi derisa gjykatat të vendosin për statusin e tyre”. Gjithashtu theksohet se ky nuk është vendimi përfundimtar i Gjykatës. Çështja do të dëgjohet në gjykatat e shkallës së parë, por kjo do t’i lejojë qeverisë të përshpejtojë deportimet e atyre që më parë kanë përfituar nga programi.