Grabitja përfundon në tragjedi. Gjendet trupi i pajetë i “skifterit” shqiptar, në spital bashkëpunëtori, tjetri ende i zhdukur

0

Një ngjarje e rëndë është regjistruar së fundmi në Itali ku një grabitje ka përfunduar tragjike. Mësohet se tre shqiptarë janë futur për të kryer një vjedhje në Foria di Centola ndërsa pronari i banesës ka hapur zjarr ndaj tyre. Një nga “skifterët” ka humbur jetën nga plagët dhe trupi i pajetë i 25-vjeçarit shqiptar u gjet vonë këtë mëngjes në Limazzo, San Severino di Centola në Itali.

I riu ishte zhdukur për më shumë se 48 orë, pasi ishte përfshirë në një shkëmbim zjarri gjatë grabitjes. Kërkime intensive me dronë dhe qen nuhatës ishin angazhuar në terren midis San Severinos dhe Forias.

Gjithashtu, në vendngjarje ishin dhjetëra bashkatdhetarë të të riut dhe gruas së tij, të dy shqiptarë, të cilët kishin ruajtur zonën për orë të tëra me ankth në rritje. Mbetet e paqartë se kush qëlloi i pari. Nën hetim së bashku me pronarin është një nga hajdutët i cili ndodhet aktualisht i shtruar në spitalin Cardarelli në Napoli me një plagë plumbi. Një person i tretë është ende i pagjetur.

Trupi i 25-vjeçarit do t’i nënshtrohet një autopsi për të sqaruar shkaqet e sakta të vdekjes dhe trajektoren e mundshme të plumbit. Tensioni po rritet mes familjes dhe miqve të viktimës, të cilët janë mbledhur pranë vendit ku u gjet djali. Mes lotëve dhe akuzave, është ngritur thirrja për “drejtësi për djalin”, ndërsa policia po përpiqet të ruajë qetësinë dhe rendin publik.