Një udhëtim nga SHBA drejt Londrës, me dy bileta të blera paraprakisht për të marrë pjesë, së bashku me bashkëshorten, me të cilën po feston dhjetë vite martesë, në ndeshjen e ekipit të tij të zemrës, Arsenal, në “Emirates”, kundër Wolverhampton, planifikuar për të martën e 28 dhjetorit.
Më pas, vala e variantit Omicron të Covid-19, bumi i infeksioneve, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe një numër në rritje i ndeshjeve të shtyra, përfshirë atë të “Topçinjve”. Kjo është historia e pabesueshme e Jack Robinson, një qytetar amerikan, i cili shprehu të gjithë zhgënjimin e tij në Twitter:
“Më dhemb shumë, e kisha planifikuar prej më shumë se 6 muajsh, rezervova vendin në stadium, përpara se ndeshja të anulohej. Më humbën fjalët, jam i dëshpëruar. Unë dhe gruaja kemi 10-vjetorin e martesës, doja t’i tregoja diçka të veçantë, diçka që ajo mund ta kujtonte përgjithmonë, por dolëm huq”.
Pas kthimit nga ndeshja e fituar për “Boxing Day” në Norwich, Granit Xhaka, i cili hasi në komentin social të Jack, vendosi t’i përgjigjet tifozit fatkeq: “Përshëndetje Jack, sapo u ktheva në shtëpi nga ndeshja dhe pashë tweet-et tuaja.
Mësova se ti dhe gruaja jote keni fluturuar nga Amerika për ndeshjen tonë kundër “Ujqërve”. Unë munda të kuptoj se jeni mërzitur shumë për shtyrjen e ndeshjes, sepse keni pritur një kohë të gjatë, para se të fluturonit, për të na parë.
Nëse jeni ende në Londër më 1 janar, ju kujtoj se atë ditë do të luhet Arsenal-Manchester City. Do të doja t’ju kisha mysafir për t’ju falënderuar për përkushtimin ndaj Arsenalit. A do t’ju shkonte kjo?”, – ishte komenti i kapitenit shqiptar të kombëtares së Zvicrës.
Përgjigja e Robinson ishte e emocionuar, e impresionuar thellë nga gjesti i bukur i idhullit të tij: “Fjalët nuk mund të shprehin se si ndihem tani, që ju po na kontaktoni direkt, nuk e keni idenë se çfarë do të thotë kjo.
7 orët e fundit kanë qenë surreale, nuk mundem ta them sa pa fjalë jam. Ky klub do të thotë gjithçka për mua dhe gruan time. Një ëndërr absolute. Nuk mund ta falënderoj kurrë Granit Xhakën sa duhet, që e tregoi sa njeri i madh është”.