GREQI – Mbi 100 baza për përdorimin e dronëve gjatë sezonit të zjarreve pyjore

0

Greqia planifikon të përdorë dronë për zbulimin e hershëm të vatrave të zjarrit, si dhe dhjetëra avionë dhe helikopterë zjarrfikës për të luftuar zjarret pyjore gjatë muajve të nxehtë që priten, njoftoi sot qeveria greke.

”Përveç kësaj, shërbimi zjarrfikës do të ketë në dispozicion më shumë se 18 000 punonjës profesionistë dhe sezonalë për përballimin e flakëve”, sipas një takimi përgatitor të drejtuar nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.

Theksi kryesor është vendosur te përdorimi i teknologjive të reja.

Më shumë se 100 baza dronësh do të ngrihen në rajonet me rrezik më të lartë, si zona metropolitane e Athinës dhe gadishulli i Peloponezit, për të identifikuar zjarret që në fazat e para.

Dronët janë të pajisur me kamera termike dhe mund të operojnë edhe në kushte ekstreme moti.

Sipas “European Forest Fire Information System” (EFFIS), gjatë periudhave të nxehta të vitit të kaluar në Greqi u shkatërruan nga zjarret pothuajse 48 000 hektarë pyje dhe shkurre.