Greqia përballet me temperatura ekstreme, merren masa të reja për mbrojtjen e punëtorëve

0

Autoritetet greke urdhëruan pushime të detyrueshme nga puna në zonat ku temperaturat pritet të kalojnë 40 gradë Celsius. Nga e diela, disa pjesë të Greqisë u përfshinë nga një valë e të nxehtit ekstrem, që pritet të zgjasë deri të enjten.

Ministria e Punës ndaloi punën fizike jashtë dhe shpërndarjen e ushqimit nga ora 12:00 deri në orën 17:00. Urdhri do të zbatohet kryesisht në rajonet qendrore të Greqisë dhe në disa ishuj.

Punëdhënësve iu kërkua, gjithashtu, të ofrojnë mundësi pune nga distanca. Në Athinë nuk u mor ndonjë masa emergjente, pasi vala aktuale e të nxehtit në kryeqytet nuk konsiderohet e pazakontë.

Meteorologët presin temperaturat më të larta të martën dhe të mërkurën, ndërsa parashikojnë një rënie të lehtë, në rreth 35 gradë, kah fundi i javës. Temperaturat më ekstreme pritet të shënohen në zonat e ulëta të rajoneve qendrore të Greqisë.

Në ishuj dhe përgjatë bregdetit, temperaturat pritet të jenë tre deri në pesë gradë më të ulëta sesa në pjesën kontinentale dhe në qendrat urbane.

Ndër rekomandimet më të rëndësishme për qytetarët janë: shmangia e qëndrimit jashtë gjatë orëve të nxehta të mesditës, konsumimi i shumtë i ujit, shmangia e alkoolit, ngrënia e ushqimeve të lehta dhe evitimi i aktiviteteve sportive në ambient të hapur.

Për të ndihmuar personat më të cenueshëm, si të pastrehët apo ata që nuk kanë ajër të kondicionuar, shumë qytete dhe komuna kanë vënë në dispozicion ambiente me ajër të kondicionuar, ku njerëzit mund të strehohen. Temperatura të larta janë duke mbizotëruar edhe në pjesë të tjera të Evropës, përfshirë edhe rajonin e Ballkanit./REL