Greta Bardeli Gjoni: Ndarja, gjuha e përdorur, ka krijuar plagë në historinë e PD

0

Deputetja e Qarkut Shkodër Greta Bardeli ka thyer heshtjen lidhur me situatën e krijuar në Partinë Demokratike dhe për herë të parë ka dhënë një qëndrim të saj publik në një intervistë me gazetaren Emi Kalaja.
Deputetes Bardeli iu kërkua nga gazetarja një qëndrim personal lidhur me situatën pas humbjes së PD në zgjedhjet e 6 Marsit, qëndrimin e saj përballe Lulzim Bashës dhe si e sheh të ardhmen e partisë demokratike.

Më poshtë intervista e plotë:
Pyetja: Zonja Deputete, para 6 Marsit dhe vecanërisht pas tij ka qenë një periudhë e nxehtë politike dhe pas humbjes se PD deputetët kanë mbajtur qëndrime personale lidhur me situatën. Pse zgjodhi heshtjen Greta Bardeli?
Mendoj qe situata e PD, ndarja, gjuha e përdorur ndaj njëri tjetrit, përplasja e paprecedent, kanë krijuar plagën më të rëndë në historinë e forcës tonë politike. Besoj shumë te bashkimi dhe te leximi i votës. Nëse nuk kam folur për të mos shtuar zë në gjithë skenën e dominuar nga vokacione të lartë a me pak të lartë publik ose jo e kam bërë në respekt të anëtarësisë së PD, të grave e burrave të Shkodrës me te cilët kemi ndare hallet, problemet e sfidat ndër vite. Në politikë përveç pragmatizmit duhet të dominojë respekti për njerzit e thjeshtë që të shohin me syrin e përfaqësimit të tyre. Nuk e kam ndalur asnjë moment komunikimin me ta, pra me bazën, i kam dëgjuar me durim. Kjo ka qenë zgjedhja ime. Në parlament kam ngritur zërin për çështje që i shqetësojnë komunitetet tona, problemet sociale, mungesën e investimeve nga qeveria për infrastrukturën kombëtare që lidh Shkodrën me Lezhën e me tej Tiranën, dramën e rrugës së harruar të malësisë së Dukagjinit, emigracionin e të rinjve, papunësinë e kapjen e institucioneve nga zyrtarë të lidhur me krimin, varferinë e zonës më të bukur të Shqipërisë. Në këtë mision kam besuar çdo minut, orë e ditë të një projekti i bashkimit të PD. Askush nuk është i tepërt. PD ka nevojë për të gjithë.
Pyetja: Deputetet e qarkut Shkodër, kanë kërkuar reflektim madje dhe dorëheqje të Zotit Basha pas rezultatit humbës të 6 Marsit, ju nuk keni qenë e pranishme në mbledhjen e parë, ndërsa publikisht nuk keni patur qëndrim ndaj tij?
Me lart ju shpreha qëndrimin tim që vota duhet lexuar për këdo që ka një pozicion në PD. Shpërbërja e funksioneve drejtuese, largimi njëri pas tjetrit, janë mesazhe të qarta që vota e ka dhënë mesazhin. Mendoj që sot nuk ka me rëndësi çfarë i thua zotit Basha, apo çfarë pret nga ai. Sot nuk kanë rëndësi as pozicioni i njërit apo tjetrit, në atë çfarë bën ata dje, në 2017, në vendimin për largimin nga parlamenti, për bojkotin e zgjedhjeve vendore të 2019, por dhe në bojkotin e ndarjes territoriale para 2015 etj etj. Çdo hap i pamatur ka kontribut ne plagen e madhe te hapur në PD dhe në opozitë. Për këto nuk është pyetur anëtarësia absolutisht. Sot këto nuk kanë vlerë të ndalemi sepse koha nuk pret. PD nuk ka sot dy rrugë por veç një që të shpëtoj. Bashkimi i saj nga baza në qendër me një projekt kombëtar. Nëse ne kuptojmë se çfarë presin qytetarët nga ne dhe mos humbim asnjë minutë atëherë mund të fitojmë. Nuk kemi pse ti japim kënaqësin një kundërshtari politik si qeveria e sotme që është në pikën më të ulët të saj nga korrupsioni, grabitja, cinizmi e arroganca të vazhdoj të mbahet në patericat që i jep gjendja e opozites sot. Qytetarët janë çuar në protesta, ne duhet te jemi në krahun e tyre.
Pyetja: A ka të ardhme PD pas gjithë përplasjes dhe gjendjes që ndodhet sot?
Lëvizjet që ndodhen këto muaj jashtë partisë zyrtare apo brenda saj hapën debatin apo prekën direkt atë që kishte vite që i mungonte organizimit të partisë, pra levizja pranë bazës, prekja e qelizës së anëtaresisë. U nxit mekanizmi i vitalizimit të demokratit të thjeshtë. Sot vota është në fokus te qëndrimeve përbashkuese dhe unë e mbështes pa asnjë mëdyshje çdo proces që mbështetet në votën e lirë.
Ka ardhur koha që PD duhet të hapet më shumë e pa frikë ndaj brezit te ri të mirëarsimuar, të arsimuar jashtë, ndaj vajzave dhe djemve që kërkojnë shpresë, ndaj studentëve. Ndaj grave që janë pjesa më e mirë e shoqërisë. Ne duhet të jemi prezent me zërin tone jo duke fyer njëri tjetrin por duke mbështetur me përulje dhe etike, me një model politik europian, një projekt që jep shpresë, që frymëzon, me besimin te e drejta, te ligji, te respektimi i te drejtave të njeriut. Vaji i kandilit të qeverisë ka mbaruar ndërsa në të ndezim besimin e shqiptarëve sot pa humbur kohë!

Marrë nga EE Times.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu