TIRANE- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kaloi sot për gjykim dosjen hetimore për zbardhjen dhe vënien në vend të drejtësisë për dy vrasje të bujshme që tronditën vendin gati 2 dekada më parë. Vrasja e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut u zbardhën falë dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Luftar Reçi.
Reçi iu rrëfeu hetuesve një sërë vrasjesh por edhe mekanizmin e përdorur nga banda e Durrësit dhe ajo e Emiljano Shullazit në ekzekutimet e bujshme si ato të Lames dhe Saliut.
Prokuroria akuzoi për këto dy vrasje disa persona. Lulzim Berisha, Indrit Rusi, Viktor Ymeri, Emiljano Shullazi dhe Indrit Tallau janë të pandehur dhe kanë dalë sot para gjykatës. Por ata mohojnë dëshminë e Reçit. Sot në seancë, ata u shprehën se dëshmia e Reçit është pa prova. “Janë të pabesueshme dhe nuk ka prova me të cilat ti vërtetojë” mësohet të kenë thënë të pandehurit.
Prokuroria ka ngritur disa akuza ku përfshihet “vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “Mbajtja pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda”, “Grup i strukturuar kriminal”, si dhe të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Çfarë deklaroi Luftar Reçi? Luftar Recci u bë i penduari i Drejtësisë duke zbardhur vrasjet e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut. Por si ndodhën dy vrasjet e bujshme që tronditën Shqipërinë në 2005?
Ngjarja e parë kriminale është vrasja e Klodian Saliut, i njohur si rivali i Lulzim Berishës, e ndodhur më 26 shkurt 2005, ku Saliu u ekzekutua në Maminas dhe që prej asaj kohe gjithnjë është përfolur se pas ngjarjes qëndronte Lulzim Berisha. Ngjarja e dytë kriminale, që SPAK akuzon grupin si ekzekutor është vrasja e biznesmenit Vajdin Lame. Biznesmeni u vra me lëndë shpërthyese më 27 shkurt të vitit 2005, dhe bashkë me të humbi jetën edhe Artan Arsi. Dosja.al, raportoi ekskluzivisht rihapjen dosjeve të bujshme të dy vrasjeve që tronditën Shqipërinë në vitin 2005 duke siguruar dhe dosjen hetimore pas rrëfimit të të penduarit Luftar Reçi. “Asgjë nuk harrohet” mori emrin operacioni që vuri në pranga disa nga të akuzuarit.