Grushte arbitrit në Gramsh, flet shefi i klubit: Gjykim i njëanshëm, duam drejtësi

0

Rikthehet dhuna në ndeshjet e Kategorisë së Dytë. Të shtunën në stadiumin “Myslim Koçi” të qytetit të Gramshit është goditur arbitri i kolegjiumit të Tiranës, Anxhi Lushi, ndërsa ndeshja nuk ka vazhduar pas minutës së 70-të, duke u bërë tashmë objekt i shqyrtimit nga Komisioni i Disiplinës në FSHF.

Pas një pjese të parë të ekuilibruar mes Gramshit dhe Valbonës, situata ka degraduar në fraksionin e dytë. Fillimisht pati tension kur shënuan tropojanët në minutën e 7-të me autor Pajën. Shefi i klubit të Gramshit, Lulzim Hasa, në një reagim për “Panorama Sport”, ka dhënë versionin e tij për atë që ndodhi:

“Në pjesën e parë ne patëm dyshime për golin e Valbonës, pasi dukej në pozicion jashtë loje. I kërkuam arbitrit kryesor të mbajë një gjykim korrekt, por ai ishte i njëanshëm dhe tendencioz, gjithmonë në favor të ekipit mik. Megjithëse pati shumë kontestime nga ne dhe tifozëria vendëse, pjesa e dytë filloi në një situatë të atillë ku tregohej hapur nga kryesori i ndeshjes për një favorizim të Valbonës. Kulmi arriti kur ai akordoi një penallti me të padrejtë për ekipin mik, pasi ishte shkaktuar faull më parë ndaj mbrojtësit tonë dhe nuk pati top të prekur me dorë. Gjykimi i njëanshëm në dëm të ekipit tonë gjatë gjithë ndeshjes bëri që situata të degradojë deri në ndërprerje të ndeshjes. Para se të gjykohet një ekip apo një qytet i tërë, duhet të merren masat ndaj arbitrave që krijojnë situata të tilla, duke fyer dhe injoruar një qytet futbolldashës me gjykimin e tyre. Ky arbitër shpallet ‘non grata’ për gjithë qytetarët e Gramshit, pasi shkatërroi mundin dhe djersën e një qyteti të tërë për të bërë një ekip dinjitoz dhe kompetitiv. Ne jemi një qytet që e duam sportin dhe kërkojmë drejtësi”, ka thënë Hasa.

PANORAMASPORT.AL


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu