Pep Guardiola dhe Jürgen Klopp ushqejnë një rivalitet të bukur profesional. Në krye të Manchester Cityt dhe Liverpoolit, dy skuadrat që luftojnë sezon pas sezoni për titullin e Premierligës, të dy trajnerët ruajnë një respekt të thellë reciprok.
Ata e dëshmuan sërish këtë të premten në konferencat për shtyp, dy ditë para ndeshjes mes dy të parëve në renditjen e Premier League, të dielën (17:30) .
“Pep është trajneri më i mirë në botë. Mendoj se të gjithë jemi dakord për këtë dhe sigurisht që është një rastësi, që kjo nuk ka funksionuar për të në Champions League deri më tani”,- tha trajneri gjerman i ‘Reds’ Jurgen Klopp, duke iu referuar kërkimit të suksesit europian nga Guardiola që nga viti 2016 dhe ardhjes së tij në stolin mancunian. .
Nga ana tjetër, Guardiola e sheh homologun e tij të Liverpoolit, si rivalin më të madh gjatë karrierës së tij. “Jürgen, si trajner, ka qenë rivali më i madh që kam pasur ndonjëherë në karrierën time dhe mendoj, se ajo që ofrojnë të dyja skuadrat, është e mirë për futbollin. Do ta kujtoj kohën time këtu kur të tërhiqem. Do të kujtoj se rivali im më i madh ishte Liverpool, kjo është e sigurt”.
Ky do të jetë takimi i 23-të në të gjitha garat mes Pep Guardiola dhe Jürgen Klopp. Shifrat janë të balancuara në mënyrë perfekte mes dy trajnerëve: 9 fitore për secilin dhe 4 barazime.
Pas kësaj ndeshje, City dhe Liverpool do të takohen sërish të paktën një herë, në gjysmëfinalen e FA Cup më 16 prill. Dy skuadrat mund të takohen edhe në finalen e Champions League më 28 maj, në “Stade de France”.