Hasan Gurabardhi, adminstrator në selinë e re të Federatës Shqiptare të Futbollit, ka folur para medieve për kontrollin e befasishëm të Inspektorëve të Ndërtimit të Bashkisë. Sipas tij, duket e pakuptimtë që të motivohet kontrolli me lejen e ndërtimit, kur ky objekt ka nisur që në vitin 2017.
“Sot, ishin dy inspektorë nga IMT për të kontrolluar dokumentacionin e lejes së ndërtimit të shtëpisë së futbollit, ku përfshihen zyrat e Federatës dhe dy ministadiumet, fizioterapia dhe fushat që janë duke përfunduar. Duket e çuditshme pse erdhën sot, kur leja është dhënë në 2017 dhe në këtë kohë ka nisur ndërtimi, nuk kanë ardhur asnjëherë për këtë kontroll.
Ne u vumë në dispozicion lejen e ndërtimit, të KRTRSH-së, të KRT-së, i kontrolluan dhe kërkuan hartën. Kontaktova personalisht me kompaninë Eurocol, përfaqësuesit e së cilës erdhën menjëherë. Ata thanë se duhet ta tërheqin dokumentacionin në arkivë. Nuk mundën ta siguronin sot, do ta sjellin ditën e hënë. Do të mundohemi edhe nesër ta sigurojmë këtë dokumentacion që kërkojnë, por kuptohet që i gjithë ky ndërtim, që është bukuri e Tiranës, është me leje, ka nisur pesë vjet më parë. U habitëm pse vijnë në këtë ditë”.
Mendoni se është kontroll i qëllimshëm?
“Normalisht që po, pse vijnë sot”.
Motivacioni?
“Leja e ndërtimit”.
A i disponon vetë Bashkia e Tiranës këto dokumente?
“I kanë ata, pa diskutim. Si është ndërtuar kjo, pa lejen e Bashkisë?”
Si e shpjegoni këtë kontroll, është formë presioni?
“Nuk di, këta çunat u sollën në mënyrë korrekte, u raportuan të vetëve. Ne i sqaruam, erdhën edhe të Eurocol-it, nesër ose ditën e hënë do t’i kenë letrat. Ditën e hënë janë këtu prapë”.
Ishit lajmëruar më herët për këtë kontroll?
“Jo, jo”.
Keni komunikuar me zotin Duka?
“Jo. Unë jam administrator i shtëpisë së futbollit, përgjegjës i mirëmbajtjes dhe shërbimeve. Ata thanë se ju kishin lajmëruar dy javë më parë… Nuk kanë caktuar ditë. Ata kanë qenë para një muaji, jo para dy javës, nuk kanë hyrë në detaje”.