Hapi zjarr në një klub nate në SHBA, 18-vjeçari vret 5 persona dhe plagos 18 të tjerë

0

Një 22-vjeçar i armatosur hapi zjarr në një klub nate që frekuentohet nga anëtarë të komunitetit LGBT, duke vrarë pesë persona dhe plagosur 18 të tjerë. Në një veprim “heroik” klientët e lokalit e kapën sulmuesin dhe e vunë nën kontroll ndërsa policia erdhi në vendngjarje brenda pak minutash, thanë autoritetet të dielën.

Shefi i policisë Adrian Vasquez tha se organet e rendit kishin gjetur në “Club Q” dy armë zjarri, mes tyre një pushkë.

Prokurori i Qarkut El Paso, Michael Allen, tha se hetuesit po përpiqen të gjejnë motivet e sulmit, dhe po shohin nëse autori po mund të ndiqet penalisht për krim urrejtjeje. Autori i sulmit ka gjasa të akuzohet për vrasje të shkallës së parë, tha ai.

Policia e identifikoi të akuzuarin si Anderson Lee Aldrich, i cili ndodhet i ndaluar dhe po trajtohet për lëndime.

Një i ri me të njëjtin emër dhe moshë u arrestua në vitin 2021, pasi nëna e tij e raportoi tek autoritetet se ai e kërcënoi atë me “një bombë të bërë vetë, armë të shumta dhe municione”, sipas autoriteteve.

Policia nuk ka konfirmuar nëse bëhet fjalë për të njëjtin person, duke thënë se janë duke bërë hetime nëse i dyshuari ishte arrestuar edhe më parë.

Autoritetet u njoftuan për të shtëna në “Club Q” të shtunën në orën 23:57 ndërsa polici i parë arriti në vendngjarje në mesnatë.

“Të paktën dy individë heronj”, iu kundërvunë sulmuesit duke i bllokuar armën, tha zoti Vasquez, ndërsa falenderoi individët për veprimin.

Nga 18 personat e plagosur, disa ishin në gjendje kritike dhe të paktën dy kishin marrë mjekime dhe lënë spitalin, thanë zyrtarët, duke shtuar se disa u lënduan ndërsa përpiqeshin të largoheshin./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu