Një grua australiane që kishte gatuar mish viçi me kërpudha, duke shkaktuar vdekjen e tre të afërmve të saj, i ka thënë policisë se ishte ngjarje aksidentale. Policia australiane beson se viktimat hëngrën kërpudha, të cilat janë shumë vdekjeprurëse, shkruajnë mediat e huaja. Në deponimin e saj, Erin Patterson deklaroi se kishte përdorur disa kërpudha të thata, por nuk e dinte se ato ishin helmuese.
Vjehrrit e Erin Patterson, Don dhe Gail Patterson, së bashku me motrën e Gail, Heather Wilkinson, vdiqën tragjikisht pasi hëngrën pjatën që Erin kishte përgatitur në shtëpinë e saj në Leongatha, më 29 korrik. Burri i Heather, Ian Wilkinson, një pastor në Kishën Baptiste Korumburra, është në një gjendje kritike.
Patterson, 48 vjeç, pranon se fillimisht zgjodhi të mos komentojë mbi incidentin, duke ndjekur këshillën e një avokati që nuk e përfaqëson më atë. Megjithatë, ajo tani beson se kjo ishte e gabuar dhe ka ofruar vullnetarisht deklaratën e saj për të dhënë këndvështrimin e saj mbi incidentin.