Himara nën pushtetin e ujit/ Kryebashkiaku Tavo: Problematika nga balta dhe inertet në rrugë! Përmbytje janë shënuar edhe në Qeparo

0

HIMARA- Reshjet e dendura të shiut gjatë ditës së sotme kanë shkaktuar problemtaika në Himarë. Përmes një njoftimi, kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, u shpreh se vërshimi i ujit në Qeparo ka shkaktuar përmbytje në rrugë, toka dhe banesa.

Sipas tij, intensiteti i lartë i reshjeve, në një kohë shumë të shkurtër, e bëri të pamenaxhueshme gjendjen dhe përballimin e ujit nga infrastruktura kulluese. Kryebashkiaku bëri me dije se strukturat përkatëse janë duke punuar në normalizimin e gjendjes.

“Reshjet e dendura shkaktojnë përmbytje në Qeparo! Vërshimi i ujit në Qeparo ka shkaktuar përmbytje në rrugë, toka dhe banesa. Pamjet e mëposhtme i përkasin lagjes Valta. Intensiteti i lartë i reshjeve, në një kohë shumë të shkurtër, e bëri të pamenaxhueshme gjendjen dhe përballimin e ujit nga infrastruktura kulluese.

Jemi të gjithë në krye të detyrës për të punuar në normalizimin e gjendjes, riparuar dhe ç’bllokuar kanalet e bllokuara nga dheu dhe materialet inerte që kanë sjellë vërshimi i përrenjve. Jemi në punë, jemi pranë banorëve!”, ka shkruar Tavo në rrjetet sociale.

Po ashtu, përmes një tjetër postimi në rrjetet sociale, Tavo iu ka bërë thirrje banorëve të Himarës, por edhe të zonave përreth që të shmangin lëvizjet e panevojshme, deri në përmirësimin e situatës

Ai shkruan se dalja nga shtrati e përroit në zonë ka sjellë depozitime balte dhe materialesh inerte, të cilat kanë krijuar problematika në rrugë dhe në mjedise të tjera publike.

“Po punohet për rikthimin e situatës në normalitet! Strukturat e Bashkisë janë në terren dhe në krye të detyrës për të eliminuar pasojat e vërshimit të ujërave në qytetin e Himarës dhe në zona të tjera.

Ndërprerja e reshjeve ka ulur intensitetin e prurjeve, por dalja nga shtrati e përroit ka sjellë depozitime balte dhe materialesh inerte, të cilat kanë krijuar problematika në rrugë dhe në mjedise të tjera publike. Po vijon puna për normalizimin e plotë të situatës.

Bashkia Himarë apelon që qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme, veçanërisht me automjete, dhe aty ku është e mundur, të bashkëpunojnë për largimin e degëve dhe mbetjeve të pemëve të transportuara nga ujërat”, ka shkruar në një tjetër postim Tavo