Historia e ukrainasit që ju bashkua luftës: S’mund të rrija kur rusët po hidhnin bomba

0

Një qytetar ukrainas i cili jetonte në Francë prej shumë vitesh i është bashkuar luftës që rusia i hapi ukrainës 8 ditë më parë. CNN shkruan se Valery, u largua nga shtëpia e tij në Francë gjatë javës së kaluar dhe u drejtua drejt Ukrainës për të takuar prindërit e tij të moshuar në Kiev një ditë para se të shpërthente lufta. Të nesërmen në mëngjes, ai u zgjua nga sirenat e sulmit ajror që shënuan fillimin e pushtimit rus. Brenda një dite nga sulmi i parë i Rusisë, ai ishte bashkuar me forcat e armatosura të Ukrainës.

“Çfarë mund të bëj kur avionët rusë po hedhin bomba në kryeqytet? Unë thjesht nuk mund të qëndroja brenda në katër mure duke mos bërë asgjë. Kështu që erdha dhe u bashkova me ata që luftojnë”, -tha ai për CNN.

Ashtu si dhjetëra mijëra vullnetarë, ai u pajis me armë nga qeveria, ndërsa iu bashkua përpjekjeve për të mbrojtur vendin.

“Fillimisht kur mora armën, ndjeva këtë ndjenjë të përzier. Nëse dilni jashtë dhe shihni sytë e njerëzve që janë në radhë për të marrë armë ka shumë shpresë dhe shumë vendosmëri për të mposhtur armikun,”-tha ai.