Hodhën gaz lotsjellës në Kuvend, dështon gjykimi ndaj ish-deputetëve të Kosovës

0

Gjykimi për ish-deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe tre ish-deputetëve tjerë, Enver Hoti, Shqipe Pantina, Teuta Haxhiu dhe ish-kryetarin e Komunës së Prizrenit Myhater Haskuka, ka dështuar. Mediat vendase shkruajnë se ish-deputetët kanë munguar në gjyqin ku akuzohen që në 2016 hodhën gaz lotsjellës në Kuvend.

Lidhur me mungesën e të akuzuarve Hoti dhe Haxhiu, gjykatësi Adnan Kamberi deklaroi se deri në kohën e mbajtjes së kësaj seance, gjykata nuk ka pranuar fletëkthesën nga Posta e Kosovës për të konstatuar nëse të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt. Për mungesën e të akuzuarës Pantina, gjykatësi bëri të ditur se gjykata ka prova se e njëjta është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar. Kurse, për të akuzuarin Selimi, gjykatësi ka thënë se gjykata ka pranuar fletëkthesën në të cilën rezulton se e ka pranuar një person tjetër.

Gjykata do të marrë edhe një konfirmim prej Policisë së Kosovës lidhur me Rexhep Selimin edhe pse për të është një fakt notor që i njëjti është në një procedurë tjetër gjyqësore, e pastaj gjykata do të veprojë konfrom dispozitave të Kodit të Procedurës Penale

Të pranishëm në këtë seancë ishte prokurorja Fatmire Cacaj, i akuzuari Haskuka dhe përfaqësuesi i zyrës ligjore pranë Policisë së Kosovës, Çlirim Hajdini. Meqenëse nuk u plotësuan kushtet ligjore për mbajtjen e kësaj seance, e njëjta është shtyrë në kohë të pacaktuar.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu