Sipas të dhënave të publikuara sot nga Guardia di Finanza, në vitin 2021 në brigjet italiane nuk është kapur asnjë kile kanabis që vinte nga Shqipëria.
Nga ana e qeverisë, kjo tregon se në Shqipëri ka marrë fund kultivimi i kanabisit. Por gazetari investigativ, Artan Hoxha zbuloi në emisionin “Zona Zero” zbuloi se thjesht kemi të bëjmë me ndryshim strategjie nga trafikantët, pasi droga vijon të mbillet masivisht.
Gazetari tha se trafiku i drogës është zhvendosur drejt Europës Veriperëndimore dhe Verilindore.
Hoxha solli në vëmendje kapjen e disa ngarkesave me drogë shqiptare në Mal të Zi, Bosnje dhe Turqi.
“Është e thjeshtë të kuptosh se në çfarë gjendja është Shqipëria sa i përket drogës. Kryeministri thotë se ka rënë në mënyrë drastike kultivimi i kanabisit, pasi Italia nuk ka sekuestruar. Në 3 nëntor është kapur 2 tonë kanabis në Mal të Zi. Shkonte nga Shqipëria në drejtim të Gjermanisë. Kjo tregon se kemi destinacion tjetër, Gjermaninë. Aty ka më shumë lekë.
Nëse dikur i kishim sytë më nga Perëndimi, tani jemi kthyer nga veriperëndimi, verilindja. Së fundmi u kap edhe në Bosnje. Autoritetet tona nuk kishin informacion. Po e transportonin në një çisternë. Në 25 nëntor është kapur një tjetër sasi e madhe, 500 kg në Serbi. Droga vinte nga Shqipëria. Më datë 7 u kap sasia e fundit, në brigjet e Izmirit. Do 48 orë të çosh drogë atje. Mua më informoi një skafist në Vlorë për rrugën e re të trafikut të drogës”, tha Artan Hoxha.
Hoxha tha se tashmë është rikthyer edhe trafiku ajror i drogës, duke sjellë në vëmendje, rrëzimin e një avioni me kanabis në Vermosh pak javë më parë.
“Rasti më spektakolar i këtij viti, ishte rënia e avionit në Vermosh. I jemi rikthyer sërish transportit ajror të drogës. E morëm vesh, se avioni ngeli aty, pasi ishte mbushur më shumë seç duhej”, tha Artan Hoxha.