Opinionisti dhe gazetari Arjan Konomi zbuloi për herë të parë se ish-mikesha e tij Hueyda El-Sayed, e cila ndërroi jetë muajin e kaluar, ka shkruar shumë gjatë kohës që kurohej në Luksemburg. Në emisionin “Rudina”, Konomi, i përlotur, shtoi se e ndjera nuk pranoi ta bënte publike sëmundjen e saj pasi nuk donte të merrte dhembshurinë e njerëzve. Ai shtoi se shënimet e saj i ka ish-partneri Thierry. Konomi shpreson që këto shkrime të Hueyda El-Sayed të publikohen në të ardhmen.
“Unë nuk kisha mundësi prej punës të qëndroja më tepër në Luksemburg, por do të shkoj së shpejti përsëri. Dua të them diçka që po e them këtu për herë të parë dhe e preka në fillim të emisionit. Hueyda ka shkruar shumë gjatë kësaj kohe. Thierry i ka ato dhe do shkoj t’i shohim bashkë, mbase do të arrijmë t’i publikojmë. Ka mbajtur shumë shënime, ka treguar, ka rrëfyer. Nuk ka treguar gjatë kohës që ishte sëmurë sepse nuk donte dhembshurinë e njerëzve, ama ka lënë një testament që më tepër do të jetë një mesazh për femrat, për gratë, për jetën, për kujdesin që duhet të kemi ndaj shëndetit dhe sidomos ndaj tumorit të gjirit. Folëm pak me Thierry, por nuk ishte momenti”, u shpreh Arjan Konomi.