Në shumë pak kohë, një tjetër pilot nga bota e garave me motora ka humbur jetën. Bëhet fjalë për 15-vjeçarin, Dean Berta Vinales i cili pati fatin e keq të pësonte një aksident të frikshëm që i shkaktoi humbjen e jetës në pistën e Jerez.
15-vjeçari nga Katalunja ishte i afërm i pilotit të Moto GP, Maverick Vinales, por që sot iu ndërpre jeta duke garuar për pasionin e tij.
Bëhet fjalë për kampionatin SuperSport 300 ku shumë të rinj tentojnë të lënë gjurmë që të arrijnë ëndrrën për të garuar në Moto GP më pas por i riu Dean pësoi dëmtime serioze në kokë dhe gjoks pas një përplasjeje që përfshiu disa pilotë, tre xhiro nga përfundimi i garës.
I mbështetur në pistë nga stafi mjekësor, më pas në ambulancë dhe në qendrën mjekësore të zonës, spanjolli nuk ia arriti të mbijetonte teksa jeta e tij u ndërpre kaq shpejt.