SPANJË- Një vrasje është regjistruar në Spanjë ku ka humbur jetën një i burgosur. Mësohet se autor i vrasjes është një tjetër i bugosur i cili akuzohet për vrasjen e tre personave të tjerë. Në orët e para të së enjtes në burg u ngrit alarmi kur një burrë u gjet i vdekur në qeli.
39-vjeçari me origjinë bullgare ndante qelinë me pakistanezin, Dilawar Hussain i cili dyshohet se është autori i vrasjes së shokut të qelisë. 39-vjeçari kishte pësuar disa goditje ndërsa vrasja e tij tani po hetohet nga policia dhe ekspertët e mjekësisë ligjore.
42-vjeçari, Hussain u transferua në burgun Estremera jashtë Madridit në janar pasi rrëfeu vrasjen e dy motrave dhe vëllait të tyre në qytetin Morata de Tahunia. Trupat e pajetë të 67-vjeçares Amelia, 74-vjeçares Angeles dhe 77-vjeçarit Jose Gutierrez Ayuso u gjetën në shtëpinë e tyre në mes të janarit pas reagimeve të fqinjëve të cilit kishin javë që nuk i kishin parë.
Policia zbuloi se viktimat i kishin marrë para autorit për mes një mashtrim online. Dy gratë ishin angazhuar në marrëdhënie online duke iu marrë qindra mijëra euro. Edhe pse miqtë i kishin paralajmëruar gratë se e gjitha ishte një mashtrim, ato nuk donin ta pranonin.
Motrat kishin kërkuar ndihmë financiare nga bashkëqytetarët e tyre, por edhe nga Huseini që kishte banuar në shtëpinë e tyre si qiramarrës. Policia beson se dy motrat dhe vëllai i tyre më i madh u rrahën për vdekje diku në dhjetor dhe më pas autori tentoi të digjte trupat e tyre.