Shkollat në Shqipëri janë të mbyllura! Ky vendim u bë i ditur pak ditë më parë nga Ministria e Arsimit, për shkak të temperaturave të ulëta që do të mbizotërojnë vendin tonë. Duke nisur nga sot, deri ditën e mërkurë, shkollat në të gjithë vendin do të qëndrojnë të mbyllura për shkak të temperaturave që do të ulen deri në -17 gradë celsisus. Qeveria ka vendosur që njëri nga prindërit me fëmijë të mitur të mund të qëndrojë në shtëpi, për shkak të mbylljes së shkollave. Është bërë e ditur se prindi që qëndron për tu kujdesur për fëmijët, nuk do të ketë pasoja administrative apo financiare.
Ky lehtësim për prindërit do të bëhet në kuadër të ndërprerjes së procesit mësimor, nga data 24 deri në 26 janar. Orët e humbura do të zëvendësohen në vijim pas një njoftimi të dytë të Ministrisë së Arsimit.
Partia Demokratike e cilësoi këtë si vendim gjysmak dhe të dështuar. Partia Demokratike kërkoi nga qeveria që të merrte një vendim ku njëri prej prindërve ta ketë të mundur të qëndrojë në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët. Pas kërkesës së PD-së, qeveria doli me vendimin për qëndrimin e njërit prej prindërve në shtëpi.
Megjithatë, në rast se parashikimi i motit, pra që temperaturat do të shkojnë deri -17, nuk do të rezultojë i saktë dhe moti do i jetë më i ngrohtë, atëherë vendimi për mbylljen e shkollave do të rishikohet.