Një shtetas turk është arrestuar në Qafë Thanë pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në pranga përfundoi Zuhtu Akkaya, i dënuar me 19 vjet burg për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Vjedhja”. 45-vjeçari pritet të ekstradohet drejt Turqisë.
NJOFTIMI I PLOTË:
Arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Turqisë, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Ankaranë, Turqi dhe Policinë Kufitare, vihet në pranga 45-vjeçari i dënuar me 19 vjet burg, për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Vjedhja”. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes ZQK Interpol Tirana, në dalje të Republikës së Shqipërisë, bënë të mundur arrestimin e përkohshëm, me qëllim ekstradimi drejt Turqisë të shtetasit Zuhtu Akkaya, 45 vjeç, banues në Izmir, Turqi. Nga verifikimet e kryera rezultoi se Gjykata e Lartë Kriminale Izmir, Turqi, me vendimin e datës 13.05.2020, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi është dënuar me 19 vjet burg për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Vjedhja”. Veprimet procedurale u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimit/Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në Komisariatin e Policisë Pogradec. Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Turqisë.